Mogherini: Kosova dhe Serbia të dialogojnë drejt një marrëveshje finale
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet të jetë edhe formalisht pjesë e Bashkimit Evropian, meqë ndajnë bashkë të shkuarën, vlerat dhe kulturën.
Ajo ka deklaruar se pret që deri më 2025 shtetet e këtij regjioni të bëhen pjesë e Unionit, por se i pret punë e madhe në disa fusha, sidomos në sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar.
Ndërsa sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ajo ka thënë se pret që të dy palët të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.
“Jam e inkurajuar që dy presidentët (i Kosovës dhe i Serbisë) kanë nisur një fazë të re, që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, që mund të ketë përfundim të suksesshëm, nëse ka përkushtim”, ka thënë Mogherini, raporton “Klan Kosova”.
Ajo ka pohuar se bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së është tashmë në shkallë të avancuar.
Ndërsa, komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johannes Hahn, ka folur edhe për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar se me rëndësi kritike për këtë gjë është dialogu mes dy vendeve, pa specifikuar se nëse pret që ky proces të çojë në njohje të dyanshme.