Mogherini: BE mbështet çdo përpjeke për t’i ndaluar armët kimike
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini ka shprehur përkrahjen e plotë të BE-së ndaj sulmeve ushtarake të tri vendeve perëndimore (SHBA, Britani, Francë), kundër Sirisë.
BE vlerëson se për Sirinë nuk mund të ketë tjetër zgjidhje, përveç asaj politike.
Mogherini ka thënë se ky veprim i tre aleatëve është bërë në përpjeke për ta parandaluar përsëritjen e sulmeve të ngjashme të armëve kimike nga regjimi sirian.
“Be mbështet çdo përpjekje për të ndaluar përdorimin e armëve kimike. Ne e shohim si tejet shokuese që bashkësia ndërkombëtare ende duhet të përballet me përdorimin e armëve kimike”, thuhet në një pjesë të komunikatës së Mogherinit.
Shefja e diplomacisë evropiane ka përkujtuar se përdorimi i këtij lloji të armëve është krim kundër njerëzimit, dhe krim i luftës.
“Bashkimi Evropian u bën thirrje që të gjitha vendeve, sidomos Rusisë dhe Iranit, që të përdorin ndikimin e tyre për të parandaluar çdo përdorim të mundshëm të armëve kimike, sidomos nga regjimi i Sirisë”, thuhet ndër tjerash.
“Ne kemi një qëllim të përbashkët në parandalimin e çdo eskalimi në dhunë që mund të shndërronte krizën në Siri në një konfrontim më të gjerë regjional, me pasoja të paimagjinueshme për Lindjen e Mesme dhe në fakt për gjithë botën. BE u bën thirrje të gjitha palëve në konflikt, sidomos regjimit dhe aleatëve të tij, që menjëherë të zbatojnë armëpushim, dhe të sigurojnë qasjen humanitare dhe evakuimet mjekësore të pranuara njëzëri nga rezoluta 2401”, vazhdon komunikata.
SHBA, Franca, dhe Britania e Madhe kanë sulmuar caqet siriane ku dyshohet se ka armë kimike. Deri më tani Kanada, NATO, dhe Turqia kanë përkrahur këtë veprim të ndërmarrë. Shteti rus në anën tjetër ka paralajmëruar pasoja për Amerikën, duke mohuar të ketë pasur sulm kimik në Siri. (KP)