Mogherini niset drejt Ukrainës pak para përvjetorit të aneksimit të Krimesë
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini është duke udhëtuar drejt Kievit për të biseduar me zyrtarë të lartë të qeverisë ukrainase, pak para përvjetorit të katërt të aneksimit ilegal të Krimesë nga ana e Rusisë.
Gjatë vizitës së saj dyditore, Mogherini do të takohet me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, kryeministrin, Volodymyr Hroysman, ministrin e Jashtëm, Pavlo Klimkin dhe ministrin për territoret e okupuara përkohësisht, Vadym Chernysh.
Zyra e Mogherinit ka thënë se udhëtimi vjen, “në një moment të rëndësishëm për zbatimin e reformave vendimtare” të lidhura me Marrëveshjen e Asociimit që fuqizon marrëdhëniet në mes të Ukrainës dhe Bashkimit Evropian.
Kjo vizitë, “do të jetë mundësi për të konfirmuar përkushtimin afatgjatë të Bashkimit Evropian për popullin ukrainas dhe aspiratat e tyre për të ndërtuar një Ukrainë më të fortë”, është thënë në deklaratë.
Pas largimit nga pozita të mikut të Moskës, ish-presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych, nga protestat masive më 2014, mijëra ushtarë rusë të paidentifikuar kanë marrë kontrollin e Krimesë, para se Moska ta aneksonte atë edhe zyrtarisht më 18 mars, 2014.
Rusia po ashtu ka nxitur konflikt në lindje të Ukrainës, nga luftimet e të cilave mes forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë, kanë vdekur 10,300 persona nga viti 2014.
Në Ukrainë, Mogherini pritet të flasë edhe për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut, të mbështetura edhe nga Perëndimi, përmes të cilave është synuar armëpushimi mes dy palëve në konflikt. (Rel)