Mogherini pas takimit me Zaevin: Jeni kthyer në rrugë të duhur
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punë dhe Politikë të Sigurisë dhe zv/presidente e Komisionit Evropian (KE), Federica Mogherini, pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, deklaroi se progresi i raportit i KE-së për Maqedoninë është një arritje madhore për vendin.
“Lajmi i mirë është ky, ju jeni kthyer në rrugë të duhur dhe vlerësimin KE-ja e ka bazuar në atë se kushtet që u vendosën herën e fundit janë përmbushur dhe pastaj ne i rekomanduam këshillit të marrë vendim për hapjen e negociatave”, tha Mogherini.
Mogherini theksoi se kjo arritje është një sukses i përbashkët i Qeverisë, Parlamentit, opozitës, si dhe i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
“Kjo nuk është një arritje vetëm e Qeverisë, por është një arritje e të gjithë institucioneve të vendit, nga Presidenti, Qeveria, Parlamenti, autoritetet lokale, shoqëria civile deri te qytetarët e këtij vendi. Ajo poashtu ka përfshirë kapacitetin e shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku. Ky rezultat i përbashkët i Qeverisë dhe opozitës, u jep përgjegjësi që ata t’i bashkojnë forcat për marrjen e hapave të ardhshme”, deklaroi Mogherini.
Mirëpo, siç tha Mogherini, rreziku ende është prezent nëse vendi nuk avancon apo kthehet në rrugë të gabuar nëse, siç tha ajo, forcat politike nuk menaxhohen që të arrijnë të identifikojnë prioritetet kombëtare të qytetarëve të këtij vendi.
Ajo po ashtu theksoi se mbeten ende punë për t’u bërë, përkatësisht thellimi i reformave, duke shprehur bindje se kjo energji pozitive e Maqedonisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ndërkaq, kryeministri Zaev shprehu mirënjohje ndaj Mogherin-it, duke theksuar se përkushtimi i saj ka ndihmuar në procesin e reformave të Maqedonisë. Ai theksoi se për dhjetë muajt e kaluar Maqedonia ka bërë një hap të madh në procesin e eurointegrimeve, ndërsa ky hap dhe energji pozitive është vlerësuar nga BE-ja.
I pyetur nëse do të zgjidhet çështja e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë deri në Samitin e BE-së, që do të mbahet në korrik, me qëllim që Maqedonia të marrë datën për fillim të bisedimeve, Zaev u shpreh optimist se tani është koha për të gjetur një zgjidhje në interes të të dyja palëve, që do të mbrojë identitetin.
“Unë jam i bindur se do të marrim datën për bisedime, sepse ajo që deri më tani e kemi arritur me Greqinë me të vërtetë edhe e garanton këtë. Do të jemi shumë të lumtur nëse gjejmë një zgjidhje dhe besoj se ajo është e mundur”, tha Zaev.
Mogherini qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni një ditë pas rekomandimit të KE-së për hapje të negociatave të anëtarësimit në BE për Maqedoninë. Ajo do të pritet edhe nga presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, ndërsa në mbrëmje do të jetë e pranishme në një takim pune me kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili organizohet në kuadër të Samitit Digjital që këto dy ditë mbahet në Shkup.
Ditën e nesërme, siç është paralajmëruar, Mogherini do të ketë fjalim në Shtëpinë Ligjvënëse të Maqedonisë, shtet i cili së bashku me Shqipërinë nga KE-ja u vlerësuan se kanë arritur progres për hapje të negociatave për anëtarësim.