Mogherini: Presioni ndaj gazetarisë së lirë po shënon rritje
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, ka thënë se është në rritje presioni ndaj gazetarisë së lirë dhe të pavarur.
Bashkimi Evropian, sipas saj, ripohon vendosmërinë për të mbrojtur lirinë e medias brenda kufijve të BE-së dhe në mbarë botën.
“Po shohim gjithnjë e më shumë përpjekje për të frenuar hapësirën për median e lirë, gjithashtu për të minuar në mënyrë sistematike kredibilitetin e medieve. Shumë gazetarë kanë humbur jetën ose e kanë rrezikuar jetën e tyre për të vënë në pah të vërtetën”, ka thënë Mogherini, përmes një deklarate, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Shtypit të Lirë që shëmohet më 3 maj, raporton “Rel”.
“Demokracia e shëndetshme mbështetet në një debat publik të hapur, të lirë dhe të ndershëm dhe është detyrë e jonë të mbrojmë këtë hapësirë dhe të mos lejojmë askënd të përhapë dezinformata që nxisin urrejtjen, ndarjen dhe mosbesimin në demokraci”, është thënë në deklaratën e Mogherinit.
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor 1993, pas rekomandimit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s.
Indeksi botëror i Lirisë së Shtypit 2019 i publikuar më 18 prill nga Reporterët pa Kufij (RSF) tregon se si në nivel botëror urrejtja ndaj gazetarëve ka degjeneruar në dhunë, duke kontribuar në rritjen e frikës.
Sipas raportit numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre në medie.