Mogherini pret në darkë pune udhëheqësit e Ballkanit

29 tetor 2019 | 13:04

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pret sonte në nje darkë pune udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bëhet fjalë për një traditë joformale që ka nisur qysh në vitin 2017.

Është njoftuar se në takim do të marrin pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës: Zhelko Komshiq, Millorad Dodik dhe Shefik Xhaferoviq.

Është ky takimi i parë midis Mogherinit dhe udhëheqësve të Ballkanit qe kur Këshilli Evropian dështoi t’i jepte dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të filluar bisedimet e pranimit.

Po ashtu presidentët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen për herë të parë që nga viti i kaluar, kur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre janë ndërprerë, për shkak të taksës që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor, 2018. Mogherini ka ndërmjetësuar për disa vite dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Mandati i saj skadon më 1 dhjetor.

/REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet turke kanë ndaluar tre persona me dyshimin se i…