Mogherini udhëton për një takim urgjent në Beograd
Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pritet që vonë pasdite të arrijë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.
Siç raportojnë mediet në Serbi, Mogherini gjatë vizitës së papritur në Beograd do të ketë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijançiq ka thënë se ajo do të shkojë në Beograd në fund të pasdites për të biseduar me Vuçiqin për të ardhmen e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës nën kujdesin e BE-së.
Një vizitë e tillë e papritur e Mogherinit në Beograd vjen pas zhvillimeve të fundit, përkatësisht pas arrestimit të Marko Gjuriqit në veri të Kosovës, si dhe pas largimit të Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës dhe paralajmërimit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe më 20 prill.