Mogherini: Viti 2019 do të jetë i suksesshëm për Shqipërinë
Në Bruksel është mbajtur një konferencë e përbashkët për medie nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, komisionari për zgjerimin i Bashkimit Evropian (BE), Johannes Hahn dhe përfaqësuesja për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Mogherini ka thënë se në vitin 2019 do të shënohen suksese nga Shqipëria.
“Shqipëria vazhdon të luajë një rol konstruktiv në rajon. Kemi qenë të vendosur për t’i dhënë prioritet operacioneve në fushën e sigurisë. Marrëveshja mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës është strategjia me të cilën po ecin vendet. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Shqipërinë për të plotësuar të gjitha kushtet. Ne mbetemi të vendosur që 2019 të jetë vit i suksesshëm për Shqipërinë ashtu siç dëshirojnë qytetarët shqiptarë”, ka thënë ajo.
Ndërsa, ministri Bushati ka theksuar se në kuadër të procesit të integrimit, Qeveria Rama është e hapur dhe e gatshme për dialog me forcat e tjera politike.
“Gjatë diskutimeve në takimin e 10-të të Stabilizim-Asoocimit dhamë mesazhin për të mbajtur hapur derën për bashkëpunim me forcat politike. Jemi pro reformave. Në qershorin e 2019-ës bashkë me KE dhe vendet e BE të punojmë të gjithë së bashku, që këtë histori ta kthejmë në histori suksesi”.
“Operacionet për goditjen e bandave janë inkurajuese dhe më vjen mirë që përfaqësuesja e lartë e BE e përmendi këtë fakt. Instancat ligjzbatuese janë në një front. Do të vijojmë më teje dhe me zbatimin e ligjit për respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Çështje e dytë të cilët ndajmë një pikëpamje të plotë me BE ka të bëjë me rolin e Shqipërisë në rajon. Faktin që Shqipëria e linjëson qëndrimin e saj me BE nuk është proces mekanik, është një proces që buron nga zgjedhjet strategjike”, ka thënë Bushati. /Top Channel/