MOHIMI I GJENOCIDIT DUHET TË SANKSIONOHET SI VEPËR PENALE
Shkruan: Visar Ymeri
Para pak javësh isha në Srebrenicë, në qendrën memoriale në Potoçari. Aty ku gjenden varret e të vrarëve. Aty ku përkujtohet gjenocidi i shfarosjes së mijëra boshnjakëve. Aty ku llahtaria nacionaliste merr formë krimi makabër.
Sot po bëhen 26 vjet nga gjenocidi. Krimi më i madh në kontinent pas Luftës së Dytë Botërore jehon edhe sot në ato varre. E bashkë me të jehon edhe kërkesa për drejtësi. Kjo e vonuar në rastin e Mlladiqit e Karaxhiqit. Por edhe e munguar.
Në gjykimet që nuk ndodhen kurrë për shumë pjesëmarrës të tjerë në këtë fushatë vrasjesh e përdhunimesh masive. Veçanërisht e munguar në institucionet në Beograd dhe në kujtesën kolektive serbe.
Prej Vuçiqit (apologjet politik i gjenocidit më 1995) e deri te Bërnabiq, të cilët edhe sot e kësaj ditë mohojnë gjenocidin. Mohim si fazë e fundit e gjenocidit. E mohimi i gjenocidit duhet të sanksionohet si vepër penale.
Në Bosnje dhe Hercegovinë sot jeton shteti i pavarur, por jofunksional. Jetojnë qytetarët në dhimbjen e tyre për humbjet e në kërkesën e tyre të parreshtur për drejtësi.
Gjithandej janë varret e të vrarëve gjatë luftës. Jetojnë etnitë të ndara e mosbesuese njëra karshi tjetrës.