Mohuesi i gjenocidit mbi hebrenjt dënohet me tre vjet burgim, mohuesi i gjenocidit mbi shqiptarët merr çmimin Nobel
Shkruan: Bilall Sherifi
Për shkak të mohimit të gjenocidit mbi hebrenjt shkrimtari anglez David Irving në vitin 2006 në AUSTRI u dënua me 3 vite burg, ndërsa mohuesi i gjenocidit mbi shqiptarët, ASUTRIAKU Peter Handke në vitin 2019 nga Akademia Suedeze u shpërblye me çmimin “Nobel”!
Ndarja e çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2019 shkrimtarit austriak, Peter Handke, ka shkaktuar reagime si asnjëherë më parë. Arsyet për reagimet negative ndaj vendimit të Akademisë Suedeze qëndrojnë në faktet e pakontestueshme që dëshmojnë se Peter Handke ka mbështetur politikën serbe ngjatë shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë dhe ka mohuar gjenocidin që serbët kanë kryer në Bosnjë dhe në Kosovë.
Të gjitha reagimet që kam lexuar në media në gjuhën shqipe dhe atë gjermane më duken se plotësojnë njëra-tjetrën dhe nuk do t’i shtoja asgjë.
Ajo që më shtyu të reagoj në këtë rast lidhet me qëndrimin e sekretarit të Akademisë Suedeze, z. Mats Malm. Në një prononcim për gazetën prestigjioze amerikane “The New York Times” ai deklaroi: “Nuk është në mandatin e akademisë që të balancojë kualitetin letrarë në raport me qëndrimet politike”.
Fillimisht një qëndrim i tillë në rastin konkret nuk është i drejtë për shkak se Peter Handke në një numër të veprave të tija dëshmoi “kualitetet letrare” për të fshehur krimin e gjenocidit që serbët kanë kryer në këto hapësira. Do të kishte qenë mirë që sekretari i Akademisë Suedeze të na tregojë se nëpërmjet cilave kritere është bërë “balancimi i kualiteteve letrare” të krijimtarisë së Peter Handke gjatë 25 viteve të fundit?
Sipas logjikës së z. Mats Malm, nuk do të duhej të përjashtohej nga çmimi “Nobel” për letërsi as shkrimtari anglez David Irving, negacionisti i njohur që mohonte “Dhomat e gazit” dhe tmerret që kishte përjetuar populli hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Madje, në krahasim me Peter Handke që ende mbështet krimet serbe në Bosnje dhe Kosovë, David Irving është penduar për qëndrimet e tij dhe në procesin gjyqësor në Vjenë, kur u dënua me 3 vjet burg, ai deklaroi se opinioni i tij ka ndryshuar!
Nëse letërsia është universale atëherë autorët që mbrojnë gjenocidin janë fyerje dhe ç’nderim i dinjitetit njerëzor. Prandaj në vend të nderimit të tillët meritojnë përbuzjen e të gjithëve!