Moldavia zgjat gjendjen e jashtëzakonshme për 60 ditë

29 korrik 2022 | 10:36

Parlamenti i Moldavisë ka votuar dje për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme edhe për 60 ditë të tjera, pasi qeveria tha se ka ende nevojë për kompetenca për t’u marrë me pasojat nga pushtimi rus në Ukrainë.

Kryeministrja moldave, Natalia Gavrilita, u ka thënë ligjvënësve se ka rreziqe të vazhdueshme për energjinë dhe sigurinë kufitare. Ajo ka përmendur edhe nevojën e menaxhimit të valës së refugjatëve nga Ukraina.

“Rreziku për Moldavinë, për shkak të luftës në Ukrainë, është i lartë. Qeverisë i duhet pushtet shtesë”, ka thënë ajo, raporton “REL”.

Gjendja e jashtëzakonshme do të zbatohet nga 8 gushti deri më 8 tetor. Rreth 500.000 banorë të Ukrainës kanë ikur nga shteti i tyre, prej kur Rusia ka nisur pushtimin në muajin shkurt.

Rreth 100.000 prej tyre vazhdojnë të jenë në Moldavi.

Parlamenti i Moldavisë ka shpallur fillimisht gjendjen e jashtëzakonshme dy ditë pas nisjes së luftës në Ukrainë. Kjo masë është zgjatur më pas përmes votimeve në prill dhe qershor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person është therur me thikë në Istog, me ç’rast…