Mollë për kalimtarët, Patriot Rudari ndjek shembullin e norvegjezëve (Video)
Patriot Rudari ushtron profesionin e profesorit tash e disa vite.
Kujdesin që ka për fëmijët dhe nevojtarët gjithmonë e ka shprehur në forma të ndryshme.
Por, së fundmi ai ka marrë një iniciativë shumë të veçantë, ndryshe nga të tjerët.
Patriot Rudari, nga fshati Shajkofc i Podujevës, ka vendos që disa qese me molla, t’i vendos rreth shtëpisë së tij, në mënyrë që të shërbehen fëmijët dhe gjithë kalimtarët.
Rudari ka thënë se u inspirua nga ideja e qytetarëve norvegjezë, që frutat t’i japin edhe të tjerëve.
“Fshati Shajkofcë është ndër fshatrat që ka më së shumti pemë, dhe falë një plaku që na ka lënë trashëgim, tepricën e këtyre pemëve po e ndajmë më njerëzit në bazë të një shembulli që e kemi parë te norvegjezët”, thotë Patriot Rudari për “RTV Dukagjinin”.
Fshati Shajkofcë, njihet për numrin e madh të pemëve. Vetëm profesor Rudari, ka mbi 80 të tilla.
Kështu, ai para se të niset për shkollë, mbledh mollët në pemët që i ka afër shtëpisë, në mënyrë që të shërbehen nevojtarët. Këtë ide e kanë mbështetur të gjithë bashkëfshatarët. Madje, ai ka thënë se kjo iniciativë do të bëhet tradicionale.
“Fshati e ka mirëprit iniciativën dhe vetëm gjatë ditës së djeshme i kanë marrë mbi dhjetë këse. Ndërsa sot kanë ardhur disa vetura nga fshatra përreth dhe kanë pyetur se ku janë ato këse me mollë për t’i marrë”.
Patriot Rudari ka thënë, se këtë iniciativë do ta zgjerojë edhe më shumë, duke I shpërndarë qeset me mollë përtej fshatit.