Molliqaj: Asociacioni është përgjigja për secilin manovrim taktik të Kurtit
Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj, ka thënë se Asociacioni qëndron prapa veprimeve të kryeministrit Albin Kurti e që lidhen me tensionet në veri të vendit.
Sipas tij “Asociacioni është qendra dhe thelbi i tij”.
“Asociacioni është përgjigja për secilin manovrim taktik të Kurtit. Në objekte apo jashtë tyre; me polici ose pa të; me zgjedhje ose pa zgjedhje. Kurti sillet rreth Asociacionit. Asociacioni është qendra dhe thelbi i tij”, ka thënë Molliqaj.
Sipas tij, procesi i dialogut po shkon drejt fundit.
“Drafti paska qenë qysh moti në tavolinën e Kurtit. Escobar tregoi se Kurti e paska, por nuk po e publikon draft-statutin. Publiku pra, kjo është çështje. Si t’ia bëjmë një veshje heroike fundit të një procesi që e vulos zvetënimin e krejt çfarë ishte dhe përfaqësonte? Kompetencat e autonomisë shkruhen në statut, kostoja politike imunizohet me polici. Asociacionit kompetencat e forta, kryeministrit figurën e fortë të policit. Të gjithë janë të kënaqur”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj ka shkruar se: “Jemi përpara tërheqjes së madhe. Nuk po flasim për policinë, as për objektet ku do të punojnë kryetarët. Asociacioni është çështja”.