Molliqaj: Biseda midis Kusarit dhe Radajçiqit zbuloi shumëçka
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar në “Facebook” duke thënë se biseda e publikuar sot midis Mimoza Kusarit dhe Milan Radajçiqit zbuloi shumëçka.
“Sigurisht, për ata që duan të kuptojnë pushtetin e Kurtit. Ajo së pari tregon se Kurti nuk niset prej parimeve, por prej vetes. Në fakt, fshihet pas parimeve. Sa here vetja e tij është në pyetje, ai nuk njeh as parime, as nuk zgjedh mjete. Të kthehemi pak në kohë për ta kujtuar kontekstin. Kjo bisedë duket të jetë zhvilluar në qershorin e vitit 2022. Në këtë kohë Radojçiq kishte fletarrest, pra ishte i kërkuar nga organet e ndjekjes në Kosovë. Ishte edhe në listën e zezë të ShBA. Atëbotë, shumë prej nesh ishim në protestë para Kuvendit, bashkë me veteranët e në mbështetje të tyre. Kundërshtonim përjashtmin e veteranëve nga rritja e pagës minimale. Ndërkohë, brenda Kuvendit, Mimoza Kusari po negocionte me të”, ka shkruar Molliqaj.
Ai ka shtuar se: “Radojçiq pyeste: Slavko më tha se ju duhen votat tona për Ligjin për Pagën Minimale dhe zgjedhjen e një gjyqtari në Kushtetuese? Po. Nuk shoh asnjë pengesë që t’ju mbështesim, veçse kemi edhe ne disa kërkesa për t’i plotësuar, vjen Slavko të hënën dhe bisedoni. Hajde t’shohim, – përgjigjet udheheqësja e Grupit Parlamentar, pra fjala e VV-së. Kjo bisedë nuk ka tjetër karakter përveç të negociatës, të pazareve do të thoshte VV”, ka shkruar Molliqaj.