Molliqaj: Çka po fshihet në KEK?

08 maj 2023 | 14:14

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka vendosur gjobë në vlerën prej 3.2 milion euro për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe 439 mijë euro për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT). Vendimi është marrë javën e kaluar, në seancën e Bordit të IV me radhë për këtë vit.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, e ka komentuar këtë vendim, duke theksuar se KEK-u ka bërë tregti me një kompani ilegale.

“KEK-u është gjobitur nga ZRRE me 3.2 milionë euro gjobë, sepse ka tregtuar energji elektrike me kompani që nuk janë të licencuara për operim në Kosovë. Pra KEK-u ka bërë tregti me një kompani ilegale. Kjo do të duhej të ishte material shtesë për prokurorinë. Sepse në këtë formë janë bërë një sërë shkeljesh duke dëmtuar kompanitë e licencuara”, ka shkruar Molliqaj në “Facebook”.

Molliqaj ka bërë me dije se i kanë drejtuar pesë pyetje ZRRE-së. “Pse janë përzgjedhur kompani të palicencuara për të tregtuar energji? Sa është sasia e tregtuar e energjisë me kompanitë e palicencuara? Sa është kostoja financiare e këtij tregtimi? Kush janë kompanitë e palicencuara me të cilat KEK ka tregtuar energji? Këto çështje dhe të tjera që kemi ngritur do ta zbardhin edhe më shumë korrupsionin dhe keqmenaxhimin e theksuar në këtë sektor!”, ka shkruar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, ka thënë se…