Molliqaj e konfirmon arrestimin e aktivistes së PSD-së: ‘Babadimri’ siç duket nuk e duron fjalën e lirë
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar pas arrestimit të aktivistes së kësaj partie, Sonila Pllashniku nga Policia e Kosovës.
Molliqaj ka thënë se bilanci i vitit është negativ për babadimrin kryeministër, prandaj sipas tij, Albin Kurti nuk e duron fjalën e lirë.
“Shumë dhurata për partinë, e shumë dëme për Kosovën. Po realizohet ‘Zajednica’, po dënohet UÇK-ja, po keqarsimohet rinia. Nuk ka kohë për shfaqjet festive të kryeministrit! Kjo qeveri që e kapi Universitetin, ia uli buxhetin universiteteve publike, zvogëloi pagat e profesorëve, favorizoi arsimin privat, nuk është e mirëpritur në hapësirat universitare! Prandaj sot aktivistja e PSD-së, Sonila Pllashniku ia ndërpreu fjalën kryeministrit duke fishkëlluar në shenjë proteste dhe duke shpërndarë një fletushkë ku i listuam pikërisht dëmet e mësipërme që Kryeministri ia solli Kosovës këtë vit. Në mënyrë të padrejtë, të papranueshme dhe tërësisht jodemokratike, Policia e Kosovës arrestoi Sonilën. Babadimri siç duket nuk e duron fjalën e lirë; nuk e duron protestën; nuk i duron fletushkat që shpalosin të vërtetën për të!”, ka shkruar Molliqaj në ‘Facebook”.