Molliqaj i reagon Avdullah Hotit: Ju vazhdimisht i jeni nënshtruar PDK-së
Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar ndaj deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka dalë kundër projektrezolutës së PSD-së e cila parasheh përfshirjen e opozitës në dialogun me Serbinë.
Molliqaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se në vend se Avdullah Hoti dhe partia të cilës i takon të marrin përgjegjësinë që iu takon në mbrojtjen e vendit, tash kur Kosova po rrezikohet nga negociatat pa platformë, ai paska zgjedhur të merret me PSD-në.
“Avdullah, për dallim prej juve, ne si PSD do të angazhohemi vazhdimisht që ta ndalim Thaçin t’i vazhdoj negociatat për vendin tonë krye në vete e pa platformë. Ju vazhdimisht i jeni nënshtruar PDK-së. E keni zgjedhur Thaçin president e Veselin kryetar të Kuvendit. Andaj, të lus shumë si koleg që të kam, leje anash hipokrizinë. Në këto momente, Kosovës i duhet më pak hipokrizi e më shumë konstruktivitet. I duhet bashkim i të gjitha partive opozitare, në mënyrë që të jemi më të fuqishëm përballë Serbisë në këto negociata vendimtare për të ardhmen e vendit”, ka shkruar Molliqaj.
/Epoka e re/