Molliqaj: Kapja e shtetit prej Albin Kurtit sot u jetësua
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka theksuar se kapja e shtetit prej Albin Kurtit u jetësua sot.
“Miratimi sot në lexim të dytë i Ligjit për Zyrtarët Publik vë një prej themeleve më të rëndësishme legjislative në shërbim të kapjes së shumë prej institucioneve publike, pavarësia e së cilave është jetike për demokracinë dhe liritë e fituara në Kosovë. Nga sot aparati shtetëror i Republikës së Kosovës do jetë lehtë i cenueshëm ndaj tendencave tashmë të dëshmuara autoritare të Albin Kurtit dhe partisë vegël të tij”, ka theksuar Molliqaj.
Ai ka thënë se kapja e shtetit është e rrezikshme prej kujtdo që kapet.
“E këtë lloj kapje që është e hapur dhe e shkruar, e kemi paralajmëruar para shumë viteve si mënyrën e veprimit të Albin Kurtit. Atë sot, për fatin tonë të keq, e gjeni në frymën dhe përmbajtjen e këtij ligji”.
“Tendencat autoritare asnjëherë nuk vetëmjaftohen. Ato gjithnjë kërkojnë edhe më shumë hapësirë. Pra, Kurti nuk do ndalet me kaq. Ai do jetë në kërkim edhe për më shumë pushtet”, ka shkruar Molliqaj në “Facebook”.
Sipas Molliqajt, Kurtit i duhet një opozitë e fortë dhe jo konstruktive. “Jo për ndonjë arsye tjetër, por për faktin se vetëm fuqinë ai e kupton”, ka shkruar Molliqaj.