Molliqaj konteston të dhënat e pushtetit për punësinë: 100 për qind mashtrim
Kryetari i Partisë Social Demokratike (PSD), Dardan Molliqaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të nxjerrë sondazhe mbi papunësinë në vendin tonë si dhe ikjen e qytetarëve nga Kosova.
Ai ka thënë se nëse pushtetit i del “papunësia e 4 për qind, 96 për qind të mbetura janë manipulim”.
“Në tërësi bëjnë 100 për qind mashtrim”, ka shkruar Molliqaj në “Facebook”.
Postimi i plotë i Molliqajt:
4% papunësi, 96% manipulim!
Ekuacionet dinë me qenë edhe më të lehta se ai të cilin Kurti e gaboi: nëse pushtetit i del papunësia 4%, 96% të mbetura janë manipulim. Në tërësi bëjnë 100% mashtrim.
Në vend të sondazheve me 1000 të anketuar, ku niveli i papunësisë as që mund të jetë reprezentativ për gjithë vendin tonë, Qeveria le të nxjerrë të dhënat për braktisjen e Kosovës nga njerëzit dhe lehtësisht vërehet korelacioni mes ikjes dhe uljes së papunësisë. Dilema që krijohet pastaj është cilave statistika me i besu, sepse papunësia e përgjithshme në BE është 6%.
Pse po ikin njerëzit nga Kosova, kur kemi me pak të papunë sesa shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian?
Ka gjëra në fakt që kjo Qeveri ka arritë me i zhduk krejt. Kjo është rëndësia e faktit kur analizon, por edhe rëndësia e tjetrit kur diskuton. E vërteta flet përmes liderit si shkencë e rol historik. E vërteta, pra, nuk buron as krijohet. Ajo zbret nga lart. E ku ma lart se goja e liderit?!