Molliqaj: Kurti po e bën kurban Konjufcën vetëm të arrijë në pushtet
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, marrëveshjen për bashkë-qeverisje mes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike e ka quajtur “Ujdi monarkësh”.
Ai i’a ka kujtuar një letër që Kurti i’a ka dërguar Mustafës 10 ditë më parë, e ku Kurti i thoshte Mustafës se “Nuk mundemi tash t’i delegjitimojmë institucionet demokratike me ujdi monarkësh”.
“Zgjedhja e z.Konjufca ishte legale dhe legjitime”, i kishte shkruar në letër Kurti Mustafës, në datën 16 janar 2020.
Molliqaj, tutje në shkrimin e tij në “Facebook”, ka shkruar se Kurti vetëm që të vijë në pushtet, po e bën kurban Glauk Konjufcën.
“Kurti, në letrën dërguar Mustafës 10 ditë më parë, e quajti “ujdi monarkësh” e “ogur fatkeq” largimin e Konjufcës nga Kryetari i Kuvendit. Pikërisht këto fjalë sot, sipas raportimeve në media, i gëlltiti Kurti teksa arrinë marrëveshje me Mustafën. Ai po sillet si monark, me fjalë të veta, po delegjitimon institucionet demokratike me ujdinë e tij monarkiste dhe po bën kurban Konjufcën me të vetmin qëllim që të vij në pushtet. Popullistët që vijnë në qeveri kanë një të përbashkët me elitat politike që i kritikojnë për korrupsion dhe marrëveshje të dëmshme. Në fund, ata arrijnë marrëveshje të njëjta si paraardhësit e tyre e gjithmonë arsyetohen me qëllimin e tyre dashamirë. Popullistët duke thënë për të mirën e popullit e elitat politike për të mirën e shtetit”, ka shkruar Molliqaj.