Molliqaj: Kurti u dorëzua, pranoi një marrëveshje të dëmshme që Asociacionin e ka në qendër
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se kryeministri i Kosovës është dorëzuar sot në Bruksel, duke e pranuar marrëveshjen që në qendër ka Asociacionin.
Në një reagim të tij në “Facebook”, Molliqaj ka thënë se dorëzimi i Kurtit nuk do të jetë dorëzim i Kosovës, duke paralajmëruar rezistencë ndaj marrëveshjes.
“Albin Kurti u dorëzua. E pranoi marrëveshjen. Borell e konfirmoi këtë zyrtarisht e publikisht. Ambasadori i Kosovës lëshoi FAKE NEWS përmes mediumit ku ka punuar, në funksion të propagandës së pushtetit. E Kosova zyrtarisht mori obligim ligjor, sonte, me dakordimin e Albin Kurtit, që të pranojë një marrëveshje të dëmshme që Asociacionin e ka në qendër”, ka shkruar Molliqaj.
Ai ka theksuar se në ditët në vijim vazhdojnë negociatat për datat e zbatimit të Asociacionit dhe marrëveshjeve të tjera.
“Por ditëve në vijim do të vazhdojë rezistenca qytetare kundër kësaj marrëveshjeje. Dorëzimi i Albin Kurtit nuk do të jetë edhe dorëzim i Kosovës!”, ka shkruar Molliqaj.