Molliqaj: Kurtit tensionet i kanë kryer punë për kompromise
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti tensionet në veri i duhet për kompromise të reja në dialogun me Serbinë.
Ai ka vlerësuar se kështu ka ndodhur deri me tani.
Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Molliqaj ka thënë se kjo strategji e kryeministrit ka sjell pasoja të mëdha për Kosovën.
“Nëse e shohim historikun e dialogimit të Kurtit është që tensionimi i ka krye punë për kompromis, pra nuk është që sa herë ka bërë tensione në veri, nuk ka bërë kompromise. Është e kundërta që sa herë që ka vepruar me veri dhe tensionim të situatës dhe acarim me ndërkombëtarët, ka ardhur me kompromise. Për bindjen tonë kjo është strategji e komunikimit publik e cila po lë pasoja por është tensionim i marrëdhënieve me ndërkombëtarët, tensionim me veriun dhe kompromis”, ka deklaruar Molliqaj.
Sipas tij, tensionet e fundit në veri janë për shkak të Asociacionit.
“Tani kjo është dhimbja e fundit e këtij procesi dialogues sepse siç e dimë tani do të merremi vesh për draftin e Asociacionit, ku është gjëja e fundit që e ka Kosova. Pas miratimit nga Kosova dhe Serbia për draftin e Asociacionit, Kosova më nuk ka obligime tjera që mundet me ndal ose jo. Procesi mund të shkojë rrjedhshëm, mund të shkojë ose jo në Kushtetuese, themelohet Kuvendi i parë, zgjedhën organet drejtuese dhe pastaj gjithçka është funksionale dhe Kosova nuk ka dorë më aty”, është shprehur ai.