Molliqaj: Kuvendit iu kthye vendimmarrja në procesin e dialogut
Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se me votimin e sotëm të rezolutës për negociatat me Serbinë, Kuvendit dhe qytetarëve të vendit iu kthye vendimmarrja për këtë proces kaq të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.
“Edhe ata që vazhdimisht vajtojnë dhe nuk japin alternativa, në ndërkohë që negociatat vazhdojnë nga një individ i vetëm dhe pa platformë, do të kenë rol vendimmarrës për marrëveshjen përfundimtare. Pa votimin e 80 deputetëve në Kuvendin e Kosovës, marrëveshja përfundimtare nuk kalon, e këto vota nuk bëhen pa dy partitë tjera opozitare”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Për më tepër, është hera e parë që qytetarët e vendit do të vendosin vetë për miratimin ose jo të rezolutës përmes referendumit. Ndërsa ekipi negociator do t’i raportoj vazhdimisht Komisionit Parlamentar për rrjedhën e negociatave”, ka shkruar ai.
Molliqaj ka theksuar se k është një fitore e madhe e PSD-së dhe e qytetarëve të Kosovës.
“Asnjë individ apo parti nuk mund të vendos për vendin tonë. Këtë vendim e ka në duar qytetari i vendit. Urime!”, ka thënë Molliqaj.