Molliqaj: Në Ditën e Pavarësisë gjykohet UÇK-ja, 17 shkurti thërret për reagimin e secilit
Kreu i trupit gjykues, Charles Smith, ka bërë me dije se seanca tjetër përgatitore për rastin ndaj krerëve të UÇK-së do të mbahet më 17 shkurt, datë kjo edhe kur Kosova shënon 15-vjetorin e pavarësisë.
Kryetari i PSD-së, Daradan Molliqaj, ka thënë se dita e gjykimit të historisë dhe përpjekja jonë çlirimtare po përputhet ironikisht edhe me kalendarin e Gjykatës Speciale.
Sipas tij, kjo gjykatë nuk e njeh historinë e Kosovës.
“Bash ditë gjykimi, për ata që mbahen peng dhe për ne si shoqëri që deshëm çlirimin. Kjo gjykatë nuk e njeh historinë e Kosovës. Është indiferente ndaj saj. 17 shkurti për këtë trupë gjykuese është veç një ditë tjetër pune, jo etike në karrierën e tyre personale. Ndërsa ata që po gjykohen politikisht dhe padrejtësisht ishin luftëtarët e vyer të çlirimit që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Molliqaj në “Facebook”.
Ai ka thënë se 17 shkurti po merr shumë kuptime. “Kësaj radhe nuk kemi festë. Kjo datë thërret për reagimin e secilit. Ata mbrojtën vendin, ne duhet t’i mbrojmë ata edhe me këtë datë”, ka shkruar Molliqaj.