Molliqaj: Opozita nuk po bashkohet, po rri siç i konvenon Kurtit
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka kritikuar opozitën për qëndrim të butë ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti. Ai ka thënë se opozita nuk po bashkohet, një gjë që sipas tij, i konvenon Kurtit politikisht.
Duke folur në emisionin Pressing, Molliqaj ka thënë se pushteti është bërë arrogant për shkak se opozita është e heshtur.
“Pushtetin e kemi arrogant dhe të padrejtë, për shkak se opozitën e kemi shumë të heshtur. Kjo është e vërteta”, ka thënë ai.
Molliqaj ka deklaruar se partia e tij do të vazhdojë të bëjë opozitë të vërtetë.
“Unë jam me bo opozitë të vërtete për vete, deri të ndodh një bashkim. Çfarë kam parë është që gara e partive opozitare është me tregu që nuk janë me njëra-tjetrën. Pikërisht qysh i konvenon Albin Kurtit, edhe të vogla, por prapë të ndara”, ka thënë tutje ai.
Molliqaj ka thënë se problemi i opozitës është mungesa e një shpjegimi mbi qeverisjen e Kurtit.
“Ata nuk thirrin as seanca parlamentare. Tepër rrallë thirrin. Edhe seanca të jashtëzakonshme, tepër rrallë. Problemi s’është që s’janë bashku, por opozita nuk ka shpjegim të ri për Albin Kurtin”, ka thënë Molliqaj.