Molliqaj: Partia Socialdemokrate me 27 degë deri në dhjetor
Sekretari organizativ i Partisë Socialdemokrate (PSD), Naim Jakaj, dhe anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Dardan Molliqaj, u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj partie.
Duke e njoftuar opinionin publik, përmes një konference për media, lidhur me procesin e shtrirjes dhe zgjerimit të PSD-së, Jakaj ka thënë se zgjerimi strukturor i projektit socialdemokrat nëpër qytete, fshatra dhe lagje, sot është mundësia për ta jetësuar transformimin e Republikës së Kosovës në një shoqëri demokratike, zhvillimore dhe sociale.
Sipas tij, shtrirja organizative do ta bëjë të mundur përhapjen e qëllimeve dhe synimeve politike të Partisë Socialdemokrate në gjithë Republikën e Kosovës.
Duke bërë me dije se Partia Socialdemokrate do të hapë gjithsej 27 zyre dhe degë në lokalitetet qendrore të Republikës së Kosovës deri në muajin dhjetor të këtij viti, anëtari i Kryesisë Dardan Molliqaj ka vlerësuar se PSD-ja është sot përpjekja më e vendosur politike dhe organizata me potencial më të madh progresiv e demokratik, për t’ia kthyer qytetarëve Republikën, të cilët janë sot shumica që ka pak dhe që janë të përjashtuar nga kastat e pushtetit.
Ai ka thënës e liritë politike e shoqërore në Kosovë duhen të mos mbeten formalitete prej letre dhe se Republika e Kosovës duhet të çlirohet sa më shpejtë nga klientelizmi, krimi dhe korrupsioni, për t’u orientuar njëkohësisht drejt politikave socialdemokrate, të cilat angazhohen edhe për më shumë pavarësi ekonomike e barazi sociale, për arsim dhe shëndetësi cilësore për të gjithë, për mjedis të pastër dhe për pension të dinjitetshëm.
/Epoka e re/