Molliqaj për Kurtin: Ky s’ka rezistencë, veç lidhje të shkurtër
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për pronat e manastirit të Deçanit.
Molliqaj ka akuzuar Kurtin për “zbythje” në raport me qëndrimet e mëhershme.
“Kur ua servon figurën e rezistencës me çdo kusht, nuk e ka. Andaj, argumenti s’e pati çare nuk pi ujë. Përveç se kauzën për manastirin e vazhdoi edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për vite me radhë, Kurti këtë vendim nuk e mori as si synim anëtarësimi në Këshill të Evropës, as si respektim i vendimeve të Gjykatës. Ka disa sosh që nuk janë respektuar pikërisht në qeverisjen e tij”, ka shkruar Molliqaj në “Facebook”.
Postimi i plotë i Molliqajt:
Targat ✔️
Letërnjoftimet ✔️
Elektroseveri ✔️
Zgjedhjet në veri ✔️
Toka e manastirit ✔️
Zajednica ? Loading…
Kur ua servon figurën e rezistencës me çdo kusht, nuk e ka. Andaj, argumenti s’e pati çare nuk pi ujë. Përveç se kauzën për manastirin e vazhdoi edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për vite me radhë, Kurti këtë vendim nuk e mori as si synim anëtarësimi në Këshill të Evropës, as si respektim i vendimeve të Gjykatës. Ka disa sosh që nuk janë respektuar pikërisht në qeverisjen e tij.
Kosova në ndërkohë në sanksione.
Cilindo vendim, pa asnjë përjashtim të vetëm, kryeministri pas rezistencës “heroike”, të cilën e sforcon çdo herë me propagandë, e pranon kompromisin veç kur është në pyetje presioni ndaj pushtetit të tij.
Rezistent deri sa s’po i vjen puna te puna. Ky s’ka lidhje me parulla të arsyes së kulluar e të shëndoshë.
Për kryeministrin rol nuk luan as arsyeja dhe as përmasat e dëmeve që i krijon, përderisa ai për vete të mbetet ai që pretendon që është. Në të vërtetë rezistenca e kryeministrit gjithmonë është e përkohshme dhe për fund në lidhje të shkurtër. Kurzschluss, e jo rezistencë.