Molliqaj: Qeveria e Kosovës është e rrezikshme dhe thellësisht antidemokratike
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti.
Sipas Molliqajt, Qeveria e Kosovës është e rrezikshme dhe antidemokratike.
Molliqaj këtë reagim e ka bërë pasi Kosova nuk u ftua në Samitin e Demokracisë që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Krejt dhe Drejt nuk është demokraci. Qeveria e Kosovës është e rrezikshme dhe thellësisht antidemokratike. Do të ishte kështu edhe po të ftohej në Samitin e Demokracisë. Dhe nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen edhe do të ftohet nga amerikanët. Po pati përputhje agjendash, Kurti do të mbështetet nga ShBA, por kjo nuk do ta bëjë demokrat. Ani pse, mungesa e ftesës duhet pa si simptomë për tu marrë seriozisht”, ka thënë ai.
Molliqaj konsideron se “kritika për mungesë te demokracisë duhet të burojë nga Kosova e të rritet në Kosovë”.
“Janë qytetarët e këtij vendi që do të pësojnë nga Projektligji që ia mundëson Partisë kontrollin mbi Këshillin Prokurorial. Janë këta qytetarë qe do të penalizohen nga modeli bullgar që ka zgjedhur Qeveria mbi konfiskimin e pasurisë së paligjshme”, thotë mes tjerash ai.
Tutje, Molliqaj ka deklaruar se këta duan të formojnë trupa arbitrare dhe jashtë sistemit prokurorial për të bërë hetime.
“Vlerësimin mbi demokracinë duhet ta vendosin këto çështje. Demokrat je ose nuk je përballë njerëzve të Kosovës. Ka aq shumë çështje që ndërlidhen me demokracinë për të cilat duhet kritikë e angazhim. Për këtë s’ka nevojë të presim licenca nga jashtë. Mjafton t’i shohim nismat ligjore dhe vendimet arbitrare”, ka shkruar Molliqaj në reagimin e bërë në “Facebook”.
Ndryshe, më 9 dhe 10 dhjetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahet për herë të parë Samiti për Demokraci, ndërsa tashmë po qarkullon në media lista me vendet që janë ftuar për të qenë pjesë e samitit, ku Kosova nuk figuron në mesin e shteteve pjesëmarrëse.