Molliqaj: Qeveria Kurti po e rrezikon seriozisht Kosovën (video)

20 tetor 2022 | 16:07

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka shpërndarë një video në “Facebook” në të cilën ka përmendur disa çështje, e që sipas tij kryeministri Albin Kurti është duke bërë hapa të rrezikshëm në procesin e dialogut.

Molliqaj ka thënë se  Kurti i ka lënë anash premtimet e tij para se të vinte në pushtet dhe tani po e rrezikon Kosovën.

“Qeveria Kurti po e rrezikon seriozisht Kosovën. Kishte premtuar kushte dhe kërkesa ndaj Serbisë, kishte premtuar që pa u zbardhur fati i të pagjeturve nuk do të negocionte me Vuçiqin, e shumë e shumë çështje të tjera. Në vend të këtyre ai zgjodhi projekte të rrezikshme siç është ai i autonomisë së serbëve në Kosovë, siç është ai i vazhdimit të status-quo-së në Kosovë. Jemi në prag të një procesi të dialogut i cili rrezikon Kosovën në disa drejtime. Së pari, duke mos e zgjidhur problemin përfundimtar me Serbinë, së dyti duke krijuar autonomi brenda Kosovës për serbët e Kosovës dhe së treti duke e pamundësuar të ardhmen e përbashkët rajonale.”, ka thënë Molliqaj.

Më tutje, Molliqaj ka kritikuar edhe opozitën në raport me dialogun.

“Një kryeministër që dialogon e merret vesh fshehurazi, një kryeministër i cili shantazhon e kërcënon opozitën, nuk meriton në asnjë rrethanë dhe për asnjë kusht t’i shkohet në takim. Çdo parti opozitare që bëhet pjesë e takimeve të Kurtit po bëhet pjesë e pazareve të Kurtit”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ballkani ka shënuar fitore të rëndësishme me rezultat 2-0 ndaj…