Molliqaj: Sipas kritereve të LV-së, Kurti dhe Sveçla janë bashkëpunëtorë të Vuçiqit

19 shtator 2024 | 15:44

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se sipas kritereve që ka vendosur Lëvizja Vetëvendosje për urën e Ibrit, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla jenë bashkëpunëtorë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

PSD-ja të enjten ka mbajtur aksion simbolik tek ura e Ibrit, ku ka paraqitur veprimet që ka marrë qeveria Kurti në veri duke i cilësuar si veprime “që e kanë trashë autonominë” në atë pjesë.

Në prononcim për medie, Molliqaj ka thënë se aktorët e partisë në pushtet e kanë cilësuar “bashkëpunëtor të Vuçiqit” kushdo që ka thënë se ura duhet të hapet me koordinim. E sipas tij, edhe qeveria Kurti nuk mund ta hapë urën qendrore në Mitrovicë pa vendimin e ndërkombëtarëve.

“Kushdo që në Kosovë ka thënë se ura duhet të hapet në koordinim, këta (LV) e kanë cilësuar bashkëpunëtor të Vuçiqit. Sipas kritereve të tyre, kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla janë bashkëpunëtorë të Vuçiqit, por jo sipas kritereve tona. Ne besojmë se ky është diskutim i kot. Ura mund dhe nuk mund të hapet, vendimin për këtë e kemi të qartë – atë e ka KFOR-i dhe QUINT-i përmes rezolutës 1244. Prandaj, këto janë çështje të parëndësishme, rruga ku po na çon është e rëndësishme”, ka thënë ai.

Çdo veprim të Kurtit në veri, siç ka thënë kryetari i PSD-së, qoftë edhe i suksesshëm siç janë targat, letërnjoftimet, “veçse e kanë trashë nivelin e autonomisë që e kanë propozuar ndërkombëtarët”.

Qeveria e Kosovës tash e disa muaj ka folur për planet për hapjen e urës së Ibrit. Kjo ide ka hasur në kundërshtimin e ndërkombëtarëve, të cilët kanë këmbëngulur se kjo çështje duhet të diskutohet në dialog.

Në takimin e së martës në Bruksel të kryenegociatorëve, Petar Petkoviq e kushtëzoi hapjen e urës me zgjerim të territorit të Mitrovicës së Veriut.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ura e Ibrit nuk është çështje e dialogut, pasi ajo është e rregulluar me marrëveshjet e kaluara të arritura në Bruksel.

Aktualisht, ura e Ibrit është e hapur vetëm për këmbësorë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me ftesë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der…