Molliqaj thotë se Kurti i gëzohet sot përndjekjes dhe kriminalizimit të UÇK-së

05 nëntor 2020 | 13:22

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj liderëve të UÇK-së, ka thënë se sot më së shumti po gëzohet Albin Kurti.

Molliqaj tha se ai dhe subjekti Lëvizja Vetëvendosje po i gëzohen sot përndjekjes dhe kriminalizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Dhe kjo gjykatë, s’do të vazhdonte të mbetej në mesin tonë, pa një konstelacion të ri politik, ku gëzimi dhe entuziazmi për të, bashkë me votat dhe insistimin për t’mos e ndalur bashkohen tek subjekti politik Vetëvendosje dhe tek emri i veçantë Albin Kurti. E dhimbshme. Serbia po gëzohet. Njësoj si Albin Kurti”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Reagimi i plotë i Molliqajt:

KUSH GËZOHET SOT?!

Gjykata Speciale s’është asgjë tjetër përveçse angazhim i drejtpërdrejtë për kriminalizimin e UÇK-së dhe përpjekjes për liri të popullit të Kosovës. Gjykata Speciale po e gjykon politikisht UÇK-në. Ndryshe nuk mund të interpretohet arrestimi i shumicës së drejtuesve ushtarakë dhe politikë të saj.

Ishte e qartë prej fillimit: Gjykata Speciale është iniciativë e Serbisë. Ishte e qartë prej fillimit: Gjykata Speciale ka mbështetje nga qarqe të caktuara ndërkombëtare, që edhe ashtu, luftën tonë për liri asnjëherë s’e trajtuan si të tillë, por vetëm si një konflikt të brendshëm etnik.

Por kjo gjykatë s’do të bëhej dot pa mbështetësit vendorë. Pa gëzimin dhe entuziazmin fillestar të LDK-së, të kombinuar me insistimin dhe votat e PDK-së, gjykatën sot s’do ta kishim.

Dhe kjo gjykatë, s’do të vazhdonte të mbetej në mesin tonë, pa një konstelacion të ri politik, ku gëzimi dhe entuziazmi për të, bashkë me votat dhe insistimin për t’mos e ndalur bashkohen tek subjekti politik Vetëvendosje dhe tek emri i veçantë Albin Kurti. E dhimbshme.

Serbia po gëzohet. Njësoj si Albin Kurti.
Kushdo që i gëzohet përndjekjes dhe kriminalizimit të luftës së UÇK-së, ose është naiv, ose i ligë, ose tradhtar. E ne e dimë që Albin Kurti nuk është naiv.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, ka bërë me dije se…