Molliqaj: UÇK është guxim, jo kalkulim, mbrojtja e saj duhet të jetë mbi politikën ditore
Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, kritikoi ashpë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, pas deklaratës së tij se nuk ka dëgjuar për “Marshin për Drejtësi, i cili do të zhvillohet të dielën me 2 prill në Prishtinë, duke theksuar se UÇK-ja na bashkon dhe se mbrojtja e saj duhet të jetë mbi politikën ditore.
“Ajo është sidomos mbi çdo llogari suksesi. Ajo duhet t’i mbizotërojë pozicionet e pushtetit dhe ambiciet për pushtet. Marshi është lajmëruar tash sa kohë. Kryeministri parëmbrëmë, në inat e sipër, teksa arsyetonte “Zajednicën”, na tha se nuk ka dëgjuar gjë për këtë marsh. Por, Partia sot i paska bërë llogaritë: Marshi për Drejtësi do të gjejë mbështetje popullore, andaj dalim edhe ne. E lexueshme, ku ka numra e masë, aty e keni VV-në oportuniste. Kjo është e kundërta e rrugës së saj. UÇK është udhëhequr nga guximi, dhe jo nga disponimi i dobët si konsensus i opinioneve, shkroi Molliqaj.
Sipas Molliqajt, nuk i kanë të gjithë mundësitë e njëjta për ta mbrojtur UÇK-në.
“Kush ka pushtet duhet të flasë me vepra. Nëse dikur ke premtuar zhbërjen e Speciales, tash është rasti ta tregosh konsistencën.
Ligji për Dhomat e Specializuara mund të ndryshojë dhe duhet të ndryshojë. Nëse vazhdimisht thekson se dikur nuk e ka votuar, sot pa e shuar Gjykatën mund t’i korrigjosh shumë nga padrejtësitë e saj.
Kështu matet partia në pushtet. Ndryshe, vërtetohet thënia “Shko Hashim”. Vërtetohet edhe ndërhyrja nga burgu për ta pamundësuar shfuqizimin e Ligjit”, shkroi Molliqaj në Facebook.