Molotov dhe gaz lotsjellës në protestën në Tiranë
Protestuesit janë përplasur me Policinë e Shtetit në Tiranë gjatë protestës të organizuar të shtunën nga opozita e Shqipërisë, e cila mblodhi mijëra qytetarë nga gjithë Shqipëria me qëllim rrëzimin e Qeverisë aktuale.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, përmes një postimi në “Twitter” ka bërë të ditur se 13 policë janë lënduar “nga dhuna ekstreme e organizuar dhe drejtuar në mënyrë politike”.
Fillimisht, turma e protestuesve ka hedhur shishe molotovi në drejtim të Kryeministrisë dhe ndërtesës së Kryesisë së Kuvendit. Ata, në drejtim të këtyre ndërtesave hodhën edhe mjete të forta dhe ngjyrë të zezë.
Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe vazhdimisht u ka bërë thirrje që të largohen dhe mos të dëmtojnë pronën publike.
Më pas, protesta u zhvendos te ndërtesa e Kuvendit të Shqipërisë, ku përsëri hodhën shishe të shumta molotovi dhe fishekzjarrë në drejtim të ndërtesës dhe kordonit të policisë.
Forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë përdorur gazin lotsjellës dhe autobote uji për të larguar protestuesit e dhunshëm. Ata kanë bllokuar rrugët kryesore të kryeqytetit për të përmbajtur protestuesit të cilët vazhduar të hedhin gurë e mjete tjera të forta në drejtim të Policisë.
Për këtë protestë ka reaguar presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe Ambasada Amerikane.