“Moment i turpshëm”, kryediplomati kroat tenton të puthë në buzë homologen gjermane
Në një takim të ministrave të Brendshëm dhe të Jashtëm evropianë, ministri kroat, Gordan Grlic-Radman me sa duket u përpoq të puthte në buzë homologen gjermane, Annalena Baerbock.
Incidenti shkaktoi reagime të shumta Kroaci. Mediat kroate raportojnë për një “moment të turpshëm”.
Aktivistët e të drejtave të grave e akuzojnë Grlic-Radman për mungesë respekti.
“E pakëndshme për t’u parë”, kështu komentuan mediat kroate dhe boshnjake momentin në të cilin Baerbock largohet nga e habitur.
Ministrja gjermane ndihej “qartësisht jo këndshëm”, shkruan gazeta e Zagrebit “Jutarnji list”.
Në media sociale, ku videoja u përhap me shpejtësi, shumë kroatë reaguan të indinjuar ndaj sjelljes së politikanit.
Aktivistja për të drejtat e grave Rada Boriç foli për një “gjest krejtësisht të papërshtatshëm”, ndërsa një tjetër aktiviste e akuzoi ministrin për mungesë mirësjelljeje dhe respekti.
Deputetja Ivana Kekin tha se Grlic-Radman kishte turpëruar jo vetëm veten por të gjithë kroatët.
Kritika erdhi edhe nga ish-kryeministrja kroate, Jadranka Kosor.
Ajo shkroi në Platformën X: Puthja e detyruar quhet edhe dhunë, apo jo?
Grlic-Radman mohon akuzat
Ndërkohë, Grlic-Radman i ka mohuar këto akuza në një konferencë për media.
Ai donte të përshëndeste një kolege në një mënyrë “humane”.
“Ministrat gjithmonë përshëndesin njëri-tjetrin ngrohtësisht”.
Megjithatë, nëse dikush ofendohet nga gjesti i tij, ai kërkon falje.
Vetë Baerbock ende nuk ka komentuar mbi incidentin.
Disa ministra evropianë u takuan në Berlin të enjten për të diskutuar kushtet kornizë për zgjerimin e ardhshëm të BE.