Momentet e para të çlirimit, si u pritën ushtarët e NATO-s në Kosovë
Kosova sot shënon 25-vjetorin e Çlirimit të vendit, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë brenda territorit të Kosovës, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.
Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.
Sot rikthehen në vëmendjen e publikut të gjitha pamjet që tregojnë gëzimin e popullit të Kosovës pas ndërhyrjes së NATO-s.
Në videot që gjenden në internet, shihet se ushtarët e NATO-s u priten me brohoritma nga qytetarët të cilët ishin të dërrmuar nga lufta.
Ndër pamjet më ikonike, prekëse e rrëqethëse është edhe ajo e burrit që hip mbi veturën e ushtarëve, duke brohoritur me aq zë sa kishte ‘NATO, NATO, NATO’.
Ndryshe, tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.
Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, si dhe largimin e serbëve nga Kosova.
Në luftën e viteve 1998-’99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.
Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, trupat e të cilëve janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.
Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.