Momentumi për integrimet dhe njohjet e reja, pozitë e opozitë me qëndrime të ndryshme
Ndonëse, konflikti luftarak rus ndaj Ukrainës dhe sidomos pozicioni i Kosovës kundër invazionit rus, ishte parë si mundësi e mirë për rrugëtimin integrues të Kosovës, deputetët e opozitës po konsiderojnë se Qeveria e Kosovës nuk e ka shfrytëzuar këtë momentum, qoftë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por edhe rreth njohjeve të reja, posaçërisht nga pesë vendet mos-njohëse të Bashkimit Evropian. Megjithatë, ndryshe thonë nga mazhoranca.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi thekson se Kosova nuk e ka shfrytëzuar këtë moment për të përfituar njohje të reja.
“Ka qenë ky momentum i duhur, mirëpo nuk mendoj se qeveria jonë e ka shfrytëzuar sepse tash e dy vite nuk kemi asnjë njohje dhe asnjë aplikimin në organizata ndërkombëtare dhe aplikimi në Këshillin e Evropës, e keni parë që është hequr nga agjenda nga shtetet mike të Kosovës, siç është Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, ajo ka qenë shqetësuese për neve sepse është dashur që qeveria para aplikimit të bisedoj me shtetet mike të vendit….Ka qenë momentum se tash e dimë se Rusia nuk është anëtare në Këshillin e Evropës dhe të gjithë kanë qenë për, por nuk është shfrytëzuar ky momentum, është shqetësuese sepse proceset integruese vetëm po shtyhen që po marrin kohë për të mirat që duhet të vijnë për dy vite qeveri që ka bërë Kurti”, thotë Krasniqi.
Mendim të njëjtë me Krasniqin ndan edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, i cili thotë se po të kishte qenë një kryeministër apo president tjetër, Kosova do të arrinte rezultate në çështjet kryesore integruese.
“Qeveria aktuale nuk e ka shfrytëzuar fare këtë situatë sepse Serbia ka qenë duale në njëfarë forme nuk është solidarizuar plotësisht me shtetin e Ukrainës, ndërsa nuk i ka vu sanksione Rusisë dhe në anën tjetër qeveria jonë nuk ka arritur ta shfrytëzoj këtë situatë shumë të volitshme. Mendoj, se po të kishte qenë një kryeministër tjetër, një president tjetër pa diskutim që çështjet kyçe të proceseve të rëndësishme për Kosovën do të ishin zgjidhur. Nuk mendoj vetëm çështjet teknike, liberalizimi I vizave dhe çështjet tjera, ka qenë një momentum shumë I rëndësishëm për të qenë Kosova pjesë e partneritetit për Paqe që Kosova të avanconte në agjendën evropiane, dhe një formë e angazhimit mos them e presionit për njohjen e pesë vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovë…Kjo qeveri, ky kryeministër dhe as kjo president as idenë nuk e kanë se çfarë janë të domosdoshme për tu përdorur dhe shfrytëzuar për të mirë në interes të Kosovës këto ngjarje dhe këto zhvillime siç ka qenë agresioni në një shtet të pavarur siç ka qenë Ukraina”, shprehet deputeti i PDK-së.
E ndonëse ka kritika nga opozita, ndryshe mendojnë nga partia në pushtet.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha shprehet se Kosova e ka shfrytëzuar çdo moment për të avancuar në rrugën e saj integruese drejtë BE-së.
Ai thekson se vetë pozicioni i Kosovës karshi Ukrainës, ka aktivizuar BE-në, qoftë për liberalizim të vizave apo edhe për procesin e Berlinit.
“Vetëm pozicionimi ka qenë një ndër arsyet që aleatët tanë të na shohin dhe bota demokratike të na sheh me sy të mirë si Republikë, e cila orientohet nga vlerat demokratike të mbrojtjes së shteteve. Liberalizimi i vizave për shembull ne kemi plotësuar kriteret dhe jemi bllokuar në aspektin procedural politik dhe unë mund të them se menjëherë BE është rienergjizuar pas luftës në Ukrainë prandaj ka pas disa hapa më të shpejt sa i përket procesit të Berlinit edhe liberalizimit të vizave edhe hapat e shpejt të Qeverisë për të plotësuar apo për të bërë kërkesën për statusin e shtetit kandidat për Bashkimin Evropian….Kosova ka shfrytëzuar secilën mundësi duke pas parasysh jo vetëm situatën në Ukrainë, por edhe rezultatet brenda Kosovës si në aspektin e lirisë së medies të demokracisë së brendshme, tek lufta ndaj korrupsionit, rendit dhe ligjit gjithashtu”, thotë Batusha.
Më 24 shkurt janë bërë 1 vjet prej kur ka nisi agresioni rus ndaj Ukrainë, të cilin e ka dënuar edhe Kosova duke vendosur sanksione. Ndërsa, përveç sanksioneve Kosova ka strehuar disa gazetarë ukrainas.
Përndryshe, më 12 maj të vitit të kaluar, Kosova ka aplikuar në Këshillin e Evropës. Kurse, më 15 dhjetor, të po atij viti, vendi ynë ka aplikuar për anëtarësim në BE. Krahas kësaj, drejtues të shtetit vazhdimisht kanë theksuar nevojën për anëtarësim në NATO. Ata madje kanë theksuar se po bëjnë përgatitje për aplikim për anëtarësimin në programin e Partneritetit për Paqe të aleancës ushtarake NATO. /KosovaPress