Momentumi premtues i dialogut duket i ikur
Njohësit e rrethanave politike në vend kanë vlerësuar se mund të ketë ikur momentumi i shumëpërmendur i dialogut Kosovë – Serbi për marrëveshjen përfundimtare. Ilir Ibrahimi dhe Shkëlzen Maliqi kanë bërë me dije se afrimi i zgjedhjeve presidenciale në ShBA ka ndikuar në rënien e interesit amerikan për këtë proces. Sipas tyre, procesi i dialogut Kosovë – Serbi është rikthyer në dinamikën e mëparshme.
Analisti politik Ilir Ibrahimi ka deklaruar se nuk është risi që politika e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë një qëndrim unik ndaj dialogut dhe se ky proces është shfrytëzuar për luftë të brendshme ndërpartiake për më tepër pushtet sesa për ta shtyrë përpara një çështje të rëndësisë kombëtare. “E gjithë kjo po vazhdon edhe sot, por në një situatë dhe rrethana të tjera, shumë më pak të favorshme për Kosovën, edhe me më shumë sfida për klasën politike e cila vazhdon t’i qaset kësaj çështjeje si struci. Sot, kur fushata zgjedhore në ShBA po futet në finalen e saj, është vështirë të pritet një interes çfarë e kemi parë në dy vjetët e fundit. Ky interes do të shkojë duke rënë sa më tepër që i afrohemi ditës së zgjedhjeve në nëntor. Brukseli, në anën tjetër, tani kur e arriti atë që gjithmonë synon një zvenitje të rolit të Uashingtonit, por jo edhe ofrimin e një zgjidhjeje të qartë, duket se do ti’ kthehet asaj që e bën më së miri – asgjë”, ka shkruar Ibrahimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas tij, me rënien e interesimit amerikan për procesin, dialogu Kosovë – Serbi ka humbur rrugën. “Ndërkohë, partitë politike i kthehen avazit të vjetër, kritikat ndaj njëri-tjetrit rreth dialogut. Por këtë, si gjithmonë, nuk e bëjnë për një qëndrim më parimor në dialog, por për më tepër pushtet. Në këtë rrugë të humbur vështirë që të gjendet drejtimi më i mirë. Mund të bëhen inskenime dhe aktrime por, përveçse për konsum të brendshëm, vështirë se do të mund të kenë ndonjë rol tjetër. E shoqëria jonë fejsbukiane, e cila po përballet me një krizë pandemike dhe ekonomike të paparë në këtë shekull, do të vazhdojë të japë mendime të mëdha gjeopolitike dhe gjeostrategjike”, është shprehur ai.
Ibrahimi ka deklaruar se shansi që Kosova e ka pasur në vitet e fundit për ta arritur një marrëveshje me Serbinë nuk është humbur tërësisht. “Vazhdoj të shpresoj (më shumë pak besim) se momentumi dhe shansi që e kemi pasur në 2-3 vjetët e fundit për ta arritur një marrëveshje me Serbinë nuk është humbur tërësisht dhe ai shans do të kthehet prapë pas zgjedhjeve në ShBA. Por edhe më pak besoj se klasa politike e Kosovës do të jetë ndryshe nga ajo që e kemi parë në dy dekadat e fundit dhe do të dijë e do ta shfrytëzojë atë shans (nëse kthehet)”, ka shkruar Ibrahimi.
Edhe analisti tjetër politik Shkëlzen Maliqi mendon se rrethanat që kishin ndikuar në dinamizmin e kësaj çështje tani shihen me skepticizëm. “E kam fjalën, p. sh., për motivin kryesor të ngutisë, nevojën për vazhdimin e dialogut me Serbinë si prioritet i administratës amerikane, që edhe çoi në largimin e qeverisë Kurti, e që tani, kur qeveria Hoti korrigjoi lëshimin dhe e hapi dialogun, jemi dëshmitarë se momentumi premtues i tij duket i ikur dhe se jemi kthyer në binarët që ky dialogu pati mbetur i bllokuar më parë”, ka thënë Maliqi.
Sipas tij, vizita në ShBA e koordinatorit shtetëror për dialog, Skender Hyseni, do të sqarojë shumëçka në këtë drejtim. “Ka dyshime në kapacitetet e qeverisë për ta arritur marrëveshjen finale, por edhe për rrethanat ndërkombëtare që ajo të arrihet. Shkuarja e Skender Hysenit në Uashington ndoshta do t’i sqarojë gjërat dhe ul nervozen, të sqarohemi se e jemi në pikën kritike të marrëveshjes finale, apo të jemi realistë rreth një procesi më afatgjatë. Draftimi i marrëveshjes është proces normal i fillimit të të gjitha marrëveshjeve të rëndësishme. Dhe, një të tillë ka mundur të ketë edhe në takimin e fundit në Bruksel, por ato janë matje e pulsit të të dyja palëve sa janë të gatshme për kompromise eventuale”, është shprehur Maliqi.
Ndër të tjera, ai ka thënë se pas buldozer-demokracisë në tentim të Riçard Grenellit, tani kemi hyrë në një fazë ku ShBA-ja do të jetë aktive, por si faktor i distancuar, jo direkt i negociatave. “Në të vërtetë edhe Granelli pat thënë, pasi që dështoi samiti i Uashingtonit më 27 qershor, se ShBA-ja synon ta mbajë tryezën e negociatave ekonomike, kurse ato politike i takojnë BE-së, meqë Kosova dhe Serbia synojnë integrimin në BE. Kjo strategji nuk është e rastësishme, por e menduar ta eliminojë futjen e Rusisë në negociata. Nëse ShBA-ja do të ishte pjesë e tryezës me BE-në, Serbia do ta kërkonte praninë e Rusisë, siç ka qenë formula e tryezave të mëhershme”, ka thënë Maliqi.
Ndërsa menaxherja e projektit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) për dialogun Kosovë -Serbi, Jeta Krasniqi, ka kritikuar procesin e rifilluar të dialogut për mungesë të transparencës.
Ajo ka thënë për “Epokën e re” se transparenca nuk ka qenë elementi më i fortë i këtij procesi që në fillim. “Duket se mungesa e transparencës është duke e karakterizuar edhe këtë fazë të tij, pavarësisht prej deklaratave të qeverisë se do të jetë transparente rreth dialogut. Është më se e kuptueshme që në proces të negociatave, siç janë edhe këto Kosovë – Serbi, ekziston një masë e konfidencialitetit, por nevoja për transparencë ka të bëjë me qartësimin e procesit, pritshmërinë e palës së Kosovës dhe qasjen që do ta mbajë”, ka thënë ajo. Sipas saj, transparenca në këtë proces është e nevojshme për ta fituar besimin e shoqërisë. “Lajçaku në vizitën e tij në Kosovë deklaroi se ka një pajtim rreth elementeve të procesit të cilat ende nuk janë bërë publike. Transparenca është e nevojshme për ta fituar edhe mbështetjen dhe besimin e shoqërisë ndaj këtij procesi”, është shprehur Krasniqi.
AShAK-u e KMDLNj: Qeveria ta lëre dialogun, të merret me pandeminë
Skepticizëm për procesin e dialogut të Brukselit kanë shprehur edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK) dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), të cilat i kanë bërë thirrje qeverisë që ta lërë këtë proces e të fokusohet në menaxhimin e pandemisë.
Përmes një komunikate për media, AShAK ka vlerësuar se në këtë situatë të pandemisë Kosova nuk duhet ta ketë prioritet dialogun me Serbinë, por tejkalimin e situatës së pandemisë. “AShAK, gjithashtu, konsideron se Kosova në këtë rrethanë nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë, sepse ai është duke u përdorur për të mbajtur në pushtet individë dhe politika recidiviste dhe për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit në çështje anësore për Kosovën. Kosova nuk e ka asnjë emergjencë të merret me dialogun në rrethana të këtilla dhe nuk ka asnjë arsye që ta bëjë dialogun çështje të preokupimit themelor të institucioneve shtetërore. Të gjitha kapacitetet shtetërore dhe politike duhet t’i përqendrojë në tejkalimin e situatës së pandemisë”, është thënë në komunikatën e AShAK-ut.
Kurse KMDLNj ka vlerësuar se, nëse koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, nuk e ka përkrahjen e opozitës në këtë proces, nuk ka asnjë arsye të bëjë shpenzime të panevojshme.
Sipas këtij këshilli, ato mjete të shpenzuara duhet të përdoren në luftë kundër pandemisë. “Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për ruajtje dhe për mbrojtje të shëndetit, skajshmërisht të rrezikuar, për një gjendje ekonomike të përmirësuar dhe të qëndrueshme, kthim në shkolla dhe normalizim të jetës e jo për bisedime të improvizuara, të dëmshme dhe të panevojshme për këtë kohë e që po bëhen për të siguruar një mbijetesë politike apo për t’u rikthyer nga arkivat e mbuluara me pluhur. Të drejtat e njeriut nuk sigurohen e as nuk mbrohen përmes këtyre bisedimeve të ricikluara, por përmes forcimit të institucioneve dhe ligjit që do të ishin vendimtarë për menaxhimin dhe tejkalimin e situatës së shkaktuar nga Covid-19”, ka vlerësuar këshilli, duke shtuar se procesi i dialogut është një improvizim. “Prandaj, KMDLNj ju thërret t’i lini improvizimet dhe ambiciet personale, politike dhe partiake, e të merreni me probleme reale me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës dhe për të cilat edhe keni mandat! Deri më tani keni dështuar në përmbushjen e këtij mandati”, ka vlerësuar KMDLNj-ja.
Muhamet KOCI