
Monika Kryemadhi paraqitet në SPAK
Monika Kryemadhi është paraqitur këtë të hënë në SPAK, raporton “A2 CNN”.
Ajo dhe bashkëshorti i saj, Ilir Meta, janë nën hetim nga SPAK për veprën penale të “korrupsionit të funksionarëve të lartë shtetërorë”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes e mosdeklarimit të pasurisë”.
Si Meta, ashtu dhe Kryemadhi, kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për të rrëzuar masat e sigurisë së miratuara ndaj tyre, detyrim paraqitje për Kryemadhin, dhe arrest me burg për Metën.
Pasi depozitoi rekursin, avokati i Metës, Genc Gjokutaj, ka thënë se i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të shfuqizojë masën e dhënë nga dy shkallët më të ulëta, me pretendimin se ish-presidenti i Republikës po mbahet në paraburgim pa asnjë provë.
Sipas avokatit, mes argumenteve për lirimin e Metës ishte listuar edhe nevoja për të qenë pjesëmarrës në fushatën elektorale të para 11majit. Gjokutaj tha se Gjykata e Lartë duhet të tregojë integritet, që sipas tij nuk e ka treguar deri më sot dhe se pas shterimit të gjykatave të brendshme, nëse është e nevojshme do të trokasin edhe në Strasburg.