Mono-alternativa historike serbe për Kosovën
Besim Qeriqi
Të gjitha të dhënat konfirmojnë se luftërat, krimet e Serbisë në vitet e ’90-ta, kanë pasur përkrahje gjithpopullore. S. Milošević, i njohur botërisht tashmë si shkaktari kryesor i të gjitha luftërave në Jugosllavi, fuqizimi i tij nisi me vizitat në Kosovë në prill të vitit 1987 dhe qershor 1989 përmes fjalimeve të tipit: “Askush nuk duhet të guxoj t’iu rrahë”. Duke u bërë i paprekshëm në Serbi, arriti të trondisë e të mbjell frikë në mbarë Jugosllavinë. “Trimëria kosovare nuk na lejon të harrojmë se njëherë kemi qenë ushtri e madhe e guximshme dhe krenare…”, “…aq e madhe sa para gjashtë shekujsh Serbia këtu në Fushë Kosovë mbrojti me trimëri vetveten, por mbrojti edhe Evropën” u thoshte Milošević, turmës së shfrenuar të serbëve të cilët po festonin përvjetorin e Betejës së Kosovës. “Prandaj sot gjashtë shekuj më vonë sërish jemi në betejë dhe para betejave”, “Këto nuk janë beteja të armatosura, edhe pse të tilla nuk përjashtohen”, duke paralajmëruar luftë për të gjithë ata që nuk pajtohen me politiken serbe. Përveç propagandës mediale, elita intelektuale, do të luajë një rol të madh në krijimin e liderit dhe ndërtimin e kultit të tij. Për Miloševićin, do të shkruhen këngë; piktorët do të pikturojnë portretet e tij, dhe do t’i bëjnë homazhe; fotografitë e tij do të shumëfishohen anekënd. Kënga – “Ko to kaže, ko to laže, Srbija je mala” (Kush ka thënë, ka gënjyer, se Serbia është e vogël). Këndohej kudo. Akademikët do të nisin garën se kush po e lartëson më lart liderin suprem: “Dobrica Ćosić do të krahasojë Miloševićin me Nikola Pašićin, Mihailo Marković me Roosevelt, Milorad Ekmečić me De Golin, Milovan Danojlić me Karađorđin. Me portretizimin se, Miloševići “i dha jetë shpirtit serb”. Menjëherë rreth tij filluan të mblidhen një numër i madh serbësh – komunistë, jokomunistë, madje edhe antikomunistë, të vendosur jo vetëm për të mbrojtur pakicën serbe në Kosovë, por mbi të gjitha për t’i shtypur shqiptarët. Duke u llogaritur si “shpëtimtari i popullit serb”, manipulimi me kartën e Kosovës u bë mjeti kryesor i tij. Sa herë që përballej me presion e kërkesa ndërkombëtare, Miloševići sikundër përgjigjej e thoshte se për ketë vendos “populli”. Kur në shkurt të vitit 1998 filloj lufta në Kosovë, masakra e Drenicës (Qirez, Likosha, Prekaz) rriten ndërgjegjen ndërkombëtare, filloj presioni për ta zgjidhur problemin e Kosovës, Milošević u kthye tek populli, për “konsultë”. Në referendumin e mbajtur më 23 prill 1998 me pyetjen: “A i pranoni përfaqësuesit e jashtëm në negocimin e zgjidhjes së problemeve në Kosovë?”. Natyrisht përgjigjja dihej: 95% e votuesve serbë prej 73% sa kishin marrë pjese refuzuan ndërmjetësimin e huaj për Kosovën. I identifikuar si gënjeshtar dhe person që nuk mbante fjalën, tek një numër i konsiderueshëm i diplomatëve perëndimorë, ka pas ekzistuar një bindje “se me largimin e tij nga pushteti, mund të gjendet një zgjidhje më e lehtë e problemit të Kosovës”. Njëri prej atyre që kishte arritur ta njoh goxha mirë mendësinë gjenocidiale të serbëve ndaj popullit shqiptarë, ishte ish ambasadori amerikan në Beograd (1988–1992) Warren Zimmerman, në librin e tij “Origins of a Catastrophe: Yugoslavia and Its Destroyers” kujton politikën nacionaliste serbe e cila mbretëronte në mbarë shoqërinë serbe të asaj kohe: që nga shitësit, fermerët e fshatit, berberët e deri te artistët e gazetarët. Duke kujtuar një takim personal me një serbe e cila po studionte historinë e artit në New York, në pyetjen e bërë se si ajo do ta trajtonte problemin e Kosovës? Studentja serbe pa hezituar fare “shumë thjesht” do të përgjigjej “Do t`i rreshtoja të gjithë shqiptarët pas një muri dhe to t’i pushkatoja”.
Natyrisht që urrejtja ndaj shqiptarëve nuk është e viteve të `90-ta, siç mund të pretendohet. Zanafilla e saj është shekullore në të cilën, kisha dhe akademia do të bëheshin propaganduesit kryesorë. Për Kosovë duhet të hakmerremi thoshte ideologu i “Serbisë së Madhe” Jovan Cvijić duke dëbuar osmanët për të rivendosur traditat e vjetra. Në realizim të këtij synimi Cvijić shkruante se ky borxh i shenjtë do të shlyhet në vitin 1912 kur Kosova u çlirua, prej osmanëve: “çdo fshatar serb donte ta shihte këtë faltore kombëtare dhe të merrte prej saj një copë tokë për kujtim”. Entusiazmi serbeve nuk përshkruhet. Muzika dhe boritë luanin: “Ne jemi të gjithë të rrëmbyer nga fitorja e madhe. Fitorja serbe në Kosovë garanton çlirimin tonë të plotë. Nuk ka forcë që do të mund t’i shtyjë serbët nga Kosova“. Mirëpo siç shkruan Brian Hall serbët, u “përkulen ta puthin tokën e shenjtë të Kosovës në vitin 1912”, por kur u ngritën, përsëri panë Kosovën e pastruar prej turqve, takuan shqiptarët shumicë të cilët gjithmonë kishin qenë aty në tokën e tyre arbërore. Ky fakt u bë shqetësimi kryesor i çdo qeverie serbe, i çdo intelektuali serb. Prej tyre kërkohej të veprohej, të ndërmerreshin hapa konkret për ndryshimin e strukturës së popullsisë, sa nuk është bërë vonë, tërhiqte vërejtjen ideologu nacionalist serb Vasa Čubrilović. Ai kritikonte institucionet qeveritare për mospërdorim të mjaftueshëm të forcës për shpërnguljen e shqiptarëve, duke vlerësuar si “gabim themelor të autoriteteve”, ai sugjeronte që të shfrytëzohen divergjencat ndërkombëtare që ekzistonin në Evropë e më gjerë për të cilën theksonte: “Opinioni botëror do të shqetësohet pak”. Megjithat bota është mësuar me gjëra edhe më të këqija, saqë ky fakt nuk do të jetë shkak për shqetësim. Valere Gagnon një njohëse e politikës nacionaliste serbe shkruan: “serbët historikisht kanë tentuar që problemin e Kosovës ta zgjidhin përmes dëbimit të shqiptarëve nga Kosova”. Përveç Vaso Čubrilović, si hartues të planeve për shpërngulje ishin edhe shumë intelektual të tjerë serb përfshirë këtu Ivo Andrić, fitues i çmimit Nobel për letërsi 1961.
Pra nuk ishte vetëm tek Milošević, siç mund të pretendohej! Kur lufta e Kosovës mori hovin, në përkrahje të tij u rreshtuan thuajse të gjitha partitë politike. Asnjë parti politike serbe, nuk dënoi krimet serbe në Kosovë, përkundrazi që të gjithë pa përjashtim bënin thirrje për vrasjen e shqiptarëve. Vuk Drašković, dhe Vojislav Šešeljit dikur kundërshtarët më të mëdhenj të tij, u rreshtuan pas liderit suprem. Drašković në rolin e zëvendëskryeministrit jugosllav vetëm një ditë pasi kishte filluar fushata e bombardimeve, në një komunikim me gazetaren amerikane Lally Weymouth, theksoi: “Kosova ishte dhe do të jetë gjithmonë pjesë e Serbisë… besimi ynë lindi atje, gjuha jonë, miti ynë kombëtar, dhe krenaria jonë janë në Kosovë” për të vazhduar me të njëjtin ton si shefi i tij – “Ne duhet ta mbrojmë Kosovën, edhe nëse të gjithë vdesim”. Lojaliteti i tij nuk kishte të ndalur: “Populli serb e zgjodhi Miloševićin. Prandaj mos përdorni ultimatume kundër serbëve”. Edhe më ekstrem dukej lideri tjetër serb Vojislav Šešeljit, sistemuar po ashtu në postin e zëvendëskryeministrit i cili fare hapur zgjidhjen e problemit të Kosovës e shihte në mënyrë krejtësisht të thjeshtë: “një milion shqiptarë të vriten, një milion të tjerë të dëbohen nga Kosova”. Neol Malcolm njëri nga njohësit më të mirë të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, në qershorin e vitit 1999, shkruan: fatkeqësisht asnjë nga liderët serb që sot do të mund ta zëvendësonin Miloševićin nuk ka opsion më të mirë për shqiptarët. “Sigurisht jo Vojislav Šešeljit, nacionalisti fanatik serb që publikisht ka përkrahur infektimin e shqiptarëve të Kosovës me virusin e SIDA-s. Jo Vuk Drašković, karriera politike e të cilit doli nga fama e tij si zëdhënës i paragjykimeve anti-myslimane. Dhe jo Zoran Gjinxhiç, lideri i Partisë Demokratike, i cili dha mbështetje të pakursyer për ekstremistët serbë Karadžić Mladić gjatë luftës në Bosnje” pasojat e të cilës janë të njohura në gjithë globin. Një udhëheqës tjetër nacionalist ishte po ashtu Vojislav Koštunica. Ai haptazi kishte kundërshtuar marrëveshjen e Dayton-it e cila kishte sjell paqen në Bosnje. Koštunica sikurse edhe liderë të tjerë njihej, për marrëdhënie të afërta me Radovan Karadžić dhe Ratko Mladić, me dy urdhërdhënësit kryesor të krimeve serbe në Bosnje e Hercegovinë të cilat i kishte quajtur si “akt i vetëmbrojtjes”. Siç mund të pritej urrejtja e Koštunica u shpërfaq edhe gjatë Luftës në Kosovë ku haptazi ju kishte bërë thirrje serbëve të Kosovës që t’i rezistonin agresionit të përbashkët të NATO-ja dhe “separatistët radikalë” të Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sa më shumë që analizon alternativat politike serbe aq më shumë verën, ngjashmëritë dhe unifikimin e tyre në raport me Kosovën. Zoran Đinđić, ndonëse i portretizuar nga perëndimi si demokrat dhe politikanë reformator, i cili me ardhjen e tij në pushtet largoi nga froni Miloševićin për ta dorëzuar në Hagë. Përmes këtij veprimi nga shumë kush në perëndim u pa, edhe si një lider “i perspektivës së munguar të Ballkanit”. Mirëpo e vërteta ishte ndryshe. Siç e thotë Milan St. Protić, duke dëgjuar thirrjen shfajësuese në fjalimin e tij para njerëzve pas ikjes së Miloševićin për në Hagë. Đinđić, përveçse nuk u distancua ai thuajse po përgjërohej për falje tek populli serb: “Asnjë fjalë për fajësinë Miloševićit, për krimet e luftës; asnjë fjalë për tmerret që ne (serbët) dhe të tjerët kishim përjetuar për shkak të politikës së tij”. Meqenëse u vra, për pazare të brendshme politike vlerësimet “si pro perëndimore” mbeten vetëm hipoteza. Mirëpo ajo që dihet, dhe është faktike në raport me Kosovën dhe shqiptarët, ishte krejtësisht i njejtë, me liderët tjerë serb madje në raste të caktuara edhe më i “rrezikshëm”. Si një shoviniste, i vërtet në shkurt 2003, me një injorancë të tepruar i kishte bërë kërkesë komandantit të NATO-s për Evropë Juglindore admiralit Gregory Johnson, “për kthimin e trupave serbe në Kosovë”. Dhe jo vetëm, në të kaluarën, idetë e tij ishin të njëjta me ideologun, e hartuesin e Memorandumit SANU Dobrica Ćosić, për ndarjen e Kosovës, projekt ky i synuar prej secilës qeverie serbe pas tij. Đinđić, po ashtu ishte njeri nga shtytësit kryesorë të enklavizimit të Kosovës. Duke qenë më i ‘pranueshëm nga perëndimorët’ idetë e tij, shpeshherë arrinin të depërtonin në analet e diplomatëve – ndërmjetësve ndërkombëtarë, të cilat sot e asaj ditë po krijojnë një hendek të madh në arritjen e marrëveshjes përfundimtare.