“Monodrama”-t e Zymberajt dolën nga shtypi

28 dhjetor 2020 | 14:53

“Monodrama” është libri i parë i profesorit të Fakultetit të Arteve, aktorit Mentor Zymberaj, i cili ka dalë nga shtypi sot nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”. Sipas recensentit të librit, profesorit Emin Z. Emini, “nuk është vetëm lloji apo niveli strukturor i dramatikes që i lidh gërshet që të katër monodramat e këtij botimi: Aktori në kuti, Ëndrra e fundit, Oficeri im i vogël, Arka por, para së gjithash, ato i përbashkon aspekti tematologjik. Mentor Zymberaj qëllimshëm përcaktohet të përzgjedhë tema nga e kaluara apo nga e sotmja e jetës sonë të cilat i trajton me theks të veçantë poetik qoftë në aspektin social, psikologjik, filozofik, antropologjik a etnik, natyrshëm në mënyrë krejtësisht origjinale, sipas idesë autoriale, me çfarë e dëshmon katërçipërisht se bota dhe realiteti i njeriut tonë është një det me karajata dhe dallgë, stërkalat e të cilit janë pjesë e një tërësie kolektive, madje e tërë shoqërisë”.

Recensenti tjetër i librit, profesor Arian Krasniqi, ka veçuar një aspekt tjetër, atë të shkrimit të monodramës nga aktori dhe vënies në skenë dhe aktrimit të tyre po nga i njëjti. “Të rrallë janë aktorët që, falë përvojës së tyre të gjatë skenike dhe përkushtimit të vazhdueshëm, i hyjnë edhe sfidës së shkrimit të teksteve dramatike. Një ndër ta është aktori dhe pedagogu shumëvjeçar Mentor Zymberaj, i cili prej kohësh na shfaqet edhe në cilësinë e shkrimtarit, pra të autorit të monodramave, të cilat i realizoi me sukses përgjatë dy dekadave të shkuara. Pra tani dhe këtu, para nesh qëndron jo vetëm aktori, por edhe autori (dramatisti) Mentor Zymberaj, i cili mjeshtërinë prej aktori në monodramë e ka transferuar me po aq potencë krijuese edhe në shkathtësinë e shkrimit të monodramës që te ne është e rrallë”, ka shkruar Krasniqi

Shënim për autorin dhe veprimtarinë e tij

Mentor Zymberaj lindi në Pejë. Ka kryer studimet për aktrim në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Pas diplomimit angazhohet profesor në Degën e Arteve Dramatike. Ka magjistruar për regji teatrore në të njëjtën fakultet. Është kandidat për doktoratë në Universitetin “Kiril i Metodij”. Është themelues dhe drejtues i Shtëpisë Teatrore Filmike AKT. Është themelues dhe drejtues i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “MonoAKT”. Është anëtar i Forumit Ndërkombëtar të Monodramës në Botë (IMF). Është president i Institutit Ndërkombëtar Teatror Qendra në Kosovë (ITI-UNESKO). Ka marrë pjesë, si ekspert dhe anëtar jurie, në shumë festivale teatrore dhe filmike ndërkombëtare. Është autor i shumë skenarëve të filmit, i shumë monodramave dhe teksteve skenike. Është paraqitur si aktor, regjisor dhe autor në skenat e shumë festivaleve ndërkombëtare dhe është nominuar dhe shpërblyer me çmime prestigjioze dhe renditur ndër artistët më të suksesshëm shqiptar. “Monodrama” është libri i tij i parë.

Libri gjendet në librarinë “Dukagjini” dhe “Artini” në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arta Gojnovci Jashari shpall të pavlefshem diplomen e shkolles se…