Monodramat me temë nacionale

24 dhjetor 2020 | 21:31

Prof. Ass. Dr. Emin Z. Emini

 Monodramat me temë nacionale

Për monodramat “Aktori në kuti”, “Ëndrra e fundit”, “Oficeri im i vogël” dhe “Arka” të autorit Mentor Zymberaj

 

Nuk është vetëm lloji apo niveli strukturor i dramatikes që i lidh gërshet që të katër monodramat e këtij botimi: Aktori në kuti, Ëndrra e fundit, Oficeri im i vogël, Arka por, para së gjithash, ato i përbashkon aspekti tematologjik. Mentor Zymberaj qëllimshëm përcaktohet të përzgjedhë tema nga e kaluara apo nga e sotmja e jetës sonë të cilat i trajton me theks të veçantë poetik qoftë në aspektin social, psikologjik, filozofik, antropologjik a etnik, natyrshëm në mënyrë krejtësisht origjinale, sipas idesë autoriale, me çfarë e dëshmon katërçipërisht se bota dhe realiteti i njeriut tonë është një det me karajata dhe dallgë, stërkalat e të cilit janë pjesë e një tërësie kolektive, madje e tërë shoqërisë. Kështu, duke ndjekur këtë procede krijuese, individualja bëhet e përgjithshme dhe që të dyja përbëjnë të veçantën estetike dhe artistike të këtyre monodramave. Por, këtu nuk është veçantia. Veçantinë e gjejmë, nëse shprehemi me gjuhën e filmit, te detaji, në dimensionin e detajit, i cili është elementi tipizues, madje më qenësor i krijimeve dra­maturgjike.

Shpirti i monodramave gjendet në projeksionin shumë­dimensional të realitetit të përjetuar jetësor, vrojtuar nga perspektiva e së ardhmes, e cila arrihet vetëm nëpërmjet rrugës së transformimit emocional dhe mendimor të qenies njerëzore, të etnikumit, të shoqërisë. Por, ky transformim është krejtësisht i pamundur pa ndodhur çlirimi nga vetja, pa ndodhur katarsa. Çlirimi është detaji.

Kjo, zaten, është fryma, atmosfera, shpirti i monodramës Aktori në kuti, e cila për temë rrok një dhembje të madhe njerëzore, një plagë të hapur që vazhdon të kullojë gjak përderisa nuk gjenden të zhdukurit e luftës. Të luftës së popullit shqiptar. Të luftës së kudondodhur në botë. Pa u gjetur ata që i mungojnë sofrës, gjakut, mishit, jetës, nuk ka çlirim.

Personazhi i saj, një aktor ndodhet edhe më keq se të ishte i gozhduar, ndodhet në një zonë të minuar, pa rën­dësi tash nëse kjo është në hapësirën e gjeografisë kombë­tare, a në cilindo vend të botës. Në ditëlindjen e tij, aktori kërkon të rilindë, siç mund të konsiderohet çdo ditëlindje, të çlirohet nga katrahura, nga çmenduria e minave njerëzo­re, të cilën s’ka si ta definojë ndryshe pos si “një temë e shkëlqyeshme humane”. Pra, zona e minuar nuk është pikë gjeografike ku ndodhet njësia e veprimit dramaturgjik. Veprimi ndodh në njerëzoren e njeriut. Humania, në këtë rast, është zonë e minuar në të cilën të vetmet qenie të gjalla janë ata fatlumët, çmontuesit e minave humane. Kjo tragjikë e njerëzimit nuk vjen si piskamë as si çjerrje patetike, por vjen e na shtrohet secilit prej nesh si një humor i zi, një sarkazëm, një përtallje me veten tonë të tëhuajsuar nga ndërgjegjja humane. Estetikisht, na vjen si frymëzënie e humanizmit. Prandaj, Aktori si personazh ikën nga teatri, nga godina e vet, nga kolosët artistikë të teatrit si institucion dhe i dorëzohet një teatri tjetër, atij të përbotshmit, teatrit të jetës. Aktori është qenie e prerë për t’i çmontuar minat e jetës së njeriut në teatrin e jetës. Kështu dhe vetëm këtu, në teatrin e jetës frymëmarrja jonë bëhet e lirë. Kjo liri është ideali i njeriut.

Ideali i lirisë bëhet temë qendrore e monodramës Ëndrra e fundit. Një i burgosur qelie komunikon me të burgosurit e tjerë, me ata që shpirtin e kanë të mbushur me ëndrra, me ideale, me frymë, me jetë. Edhe me të burgosurit e shumtë, që tashmë janë veçse të vdekur a të zhdukur, por ja që në shpirtin dhe mendjen e personazhit të monodramës ata vazhdojnë të jenë gjallë, të jetojnë, madje disa prej tyre edhe jashtë grilave, jetojnë në ajrin e lirisë së ëndërruar. Burgu është një sinonim i gijotinës së ëndrrave në të cilin vend janë të tjerët, pushtuesit, janë ata që ua kanë prerë përgjysmë ëndrrat për jetën, por pa pasur mundësi që t’ua presin edhe eshtrat e shpirtit. Dhe, kjo i bie se as ëndrrat nuk mund t’ua vrasin.

Në burg njerëzit nuk trajtohen me statusin e njeriut. Ata s’janë veçse numra. Numra të pafund, të mbyllur, por që, përkundër kësaj, ndihen të lirë. Të lirë sepse kanë ideal lirinë. Liria është çlirimi i tyre. Është shpirti i tyre. Pra, ëndrra e njeriut për çlirim është shpirti i kësaj monodrame. E çlirim do të thotë frymëmarrje e lirë. Kjo është e përba­shkëta e monodramës Aktori në kuti dhe Ëndrra e fundit. Por, kanë edhe një të përbashkët tjetër: një detaj krejtësisht të njëjtë që e gjejmë te të dyja, detajin e jetës njerëzore, në të cilin njeriu, në një çast të jetës, flet me fotografitë, me kujtimet, me atë pjesë të munguar të jetës, e cila, ç’prej se ka ndodhur, asnjëherë nuk ndryshon, pavarësisht rrjedhës së kohës a pavarësisht vendit ku je. Edhe te monodrama Aktori… në fushën e minuar të ndërgjegjes, edhe tek ajo e Ëndrrës… së të burgosurit në qeli, të dy personazhet flasin me prindërit, me nënën, me babën, me fëmijët, me jetën. Kjo skenë surreale, që në vetvete bëhet personifikuese e dhimbjes së pafund, na vjen me nota të kthjellëta e krejtësisht reale, me shumë ngjyrime emocionale, me shumë musht të ëmbël e të hidhur jete. Madje kjo skenë është një kopje e njëra-tjetrës. Qëllimshëm. Ky segment, në aspektin krijues, është elementi i citatësisë i shkrimit posmoderne. Autori, pra, citon veten në monodramat e veta dhe kështu ndjek parimin e poetikës postmoderniste.

 

Citat 1. Monodrama Aktori në kuti:

Nga jastëku nxjerr fotot të cilat janë të mbështjella me fashë të gjakosur. I pastron, i përqafon dhe flet me to si të ishin të gjalla. I shpërndanë në tokë me kujdes dhe ulet ngadalë në gjunjë).

Babë, si je?! Eh moj nanë po shumë vujte me mu! A e keni harru djalin a?! (E merr foton e gruas së cilës i drejtohet me qesëndi). Fisnike, nuk koke plakë hiq! Unë kishe mërzia të plakë! Soje e fortë je ti! (Afron fotot e fëmijëve afër vetes dhe fillon t’i përqafojë). Ej, ej, shihni kush bineqtë e mi! A nuk po e njihni babën a?! Hajdeni përqafoni babën! A s’ju ka marrë malli për babën a?! A e keni harru babën a?! Shkova pra! (Bën kinse del. E ofron foton dhe e përqafon me mall. I përlotur iu drejtohet).

Nanë, folni diçka! Pse po qan?! Babë, kurrë ma të lig nuk t’kam pa! Mos bre babë! Ku është motra?! Kam parandjenjë se… jo, jo, nuk është e mundur.

 

Citat 2. Monodrama Ëndrra e fundit:

(Nga jastëku nxjerr fotot të cilat janë të mbështjella me fashë të gjakosur. I pastron, i përqafon dhe flet me to si të ishin të gjalla. I shpërndanë në tryezë me kujdes dhe ulet ngadalë në karrige).

 

Babë, si je? Eh moj nanë po shumë vujte me mu! A e keni harru djalin a?! Fisnike, s’koke plakë hiq! Unë kishe mërzia t’plakë! Sojë e fortë je ti! Ej, ej, shihni kush bineqtë e mi. A s’po e njihni babën?! Hajdeni përqafoni babën! A s’ju ka marrë malli për babën?! E keni harru babën?! Shkova pra! (Bën kinse del. E ofron foton dhe e përqafon me mall. I përlotur iu drejtohet).

Nanë, folni diçka. Pse po qan? Babë, kurrë ma të lig nuk t’kam pa. Mos bre babë! Ku është motra? Kam parandjenjë se… jo, jooo…

Ëndrra e fundit dhe Aktori në kuti kanë edhe një të përbashkët tjetër. Temën emocionale. Përkundër se është përmbajtje e dramës, për autorin e tyre ajo bëhet strukturë dramatur­gjike. Pra, edhe atmosfera e tyre është linjë struk­turore e mëvetësishme, është një realitet i jetuar, i cili, pas kon­vertimit mimetik, ridimensionohen vlerat etike të indi­vidit e të shoqërisë në vlera artistike dhe estetike.

Tema emocionale mëton t’i përthekojë kufijtë e humanes së dehumanizuar, ndërgjegjen e munguar dhe lirinë etike të shpirtit njerëzor. Kjo qasje autoriale, këto monodrama i shtyn drejt fazës së gjashtë dramaturgjike, në të cilën jeta njerëzore është e kurthuar në burgje (burgu si vendndodhje e veprimit te Ëndrra e fundit), në zona të çmendurisë (zona e minuar tek Aktori në kuti), në sëmundje individuale dhe kolektive si pasojë e dehumanizimit të qenies njerëzore (Ëndrra e fundit, Aktori në kuti) si pasojë e robërimit të vlerave etike-morale dhe lirisë së shpirtit njerëzor (Aktori në kuti, Ëndrra e fundit) dhe, së fundi, si pasojë e ushtrimit të vazhdueshëm të dhunës fizike, mentale e shpirtërore, në të cilën vdekja mund të konsiderohet fat (Ëndrra e fundit, Aktori në kuti).

Të dyja dramat bartin tragjiken e tyre.

Tragjikja është e pranishme edhe te monodramat Oficeri im i vogël dhe Arka. Tragjikja e njeriut tonë, e cila shpaloset në trajta të ndryshme, por që kanë një të përbashkët: humbjen e njerëzve më të dashur. Te Oficeri… personazhi ka humbur gruan dhe gjithçka në jetën e tij, por nuk pranon ta humbasë fëmijën e vetëm, djalin e vogël, i cili, ndonëse i vdekur, në sytë dhe mendjen e babait të tij është një oficer i rritur, madje është një gjeneral. Kjo është dhembja e skajshme e një njeriu, e një prindi, i cili, pavarësisht se ndodhet në karrocë invalidësh, në vend se ta varroste atë, bashkë me të birin e tij ushtarak, dalin dhe bëjnë qejf burrash, kanë humor, e duan jetën dhe i gëzohen asaj. Madje i ati, po ashtu ushtarak me profesion, e kthen herë pas here në fëmijëri djalin e tij, vetëm për t’i ripërjetuar ato çaste të dikurshme, ato çaste humori dhe buzëqeshjeje, të cilat, ani pse nuk kanë ndodhur asnjëherë në realitetin jetësor, ato janë ngjarje edhe më reale se vetë realiteti, ato janë fanitje të veshura me mish, gjak, frymë e shpirt njeriu. Në këtë rast patjetër duhet theksuar edhe skenën ndërmjet burrit dhe gruas, përkatësisht babait dhe nënës së fëmijës, e cila mbërrin kulmin pas konfliktit deri në brutalitet emocional të tyre për të fituar të drejtat prindërore për të birin. Është kjo një luftë e përbotshme e burrit dhe e gruas për ta fituar statusin e prindit, për ta përplotësuar veten nëpërmjet bio­logjisë dhe humanes, për ta ndier veten të trashëguar dhe për të qenë qenie sociale. Në këtë rast kjo luftë e ëndërrt bëhet reale ani pse fëmija i tyre s’është veçse një qenie e pajetë, që në vend të djepit, të shtratit, të hapësirës ku rritet, jeton në formë hiri në gëzhojën e një predhe të një kalibri të madh. Gjoksi dhe shpirti i të atit është në një tumë, në të cilën po rritej jeta e ëndërrt. Është kjo një ëndërr kaq e dhimbshme dhe kaq e bukur njëkohshëm, që në monodramën Oficeri im i vogël jetohet në trajtë zhgjëndrre.

Pas një ëndrre tjetër jetësore bredh edhe personazhi i Arkës, i cili, për ta shpëtuar nga vdekja të vëllanë e vogël, detyrohet t’i braktisë ëndrrat vetjake. Ia mësyn Perëndimit për të grumbulluar mjete për shërimin e tij, por përfundon në kazamatet e Evropës. Dhe, kështu, fati i egër i jetës e degdis për shumë vjet larg familjes dhe kur kthehet nga atje, është tepër vonë. Shtëpia është e zbrazur. Tashmë të gjithë kanë vdekur, vëllai që ishte i sëmurë nga kanceri, e ëma, i ati. Pra, edhe ky personazh përballet dhe vuan dhembjen e humbjes së njerëzve të tij, (sikurse personazhi i monodramës Oficeri…) shkaku i fatkeqësisë jo vetëm perso­nale dhe familjare, por shkaku i fatkeqësisë sonë si etni. Shkaku i robërisë që kishte zaptuar të gjitha shtigjet e jetës sonë. Gjallë është vetëm e motra, e cila, po ashtu, ka marrë në sy rrugët e botës. Ajo në Australinë e largët i ka dhënë vetes një mision jetësor: ka përkthyer krijimtarinë e të atit, e cila në atdhe i qe përbuzur për shkakun e vetëm, se trajtonte tema origjinale, por që në botën tjetër kishte gëzuar sukseset e merituara. Motra, në këtë monodramë, natyrisht se nuk është e pranishme në formë fizike si personazh. Ajo është në trajtë tjetër, në trajtën e një fryme njerëzore, në trajtën e zërit të ndërgjegjes sonë. Ajo është trajta e vetë­mohimit në emër të një ideali. Të idealit krijues e estetik. Është ndërgjegjja jonë e vrarë që ka përbuzur dhe vazhdon akoma ta përbuzë krijimtarinë artistike që trajton tema nacionale, tema me bazë historike a ngjarje historike të kombit tonë.

Arka është një reminishencë e bukur artistike në të cilën përvijohet një jetë e tërë e jetuar dhe e munguar që na shpaloset nëpërmjet simbolit të kulturës sonë materiale e shpirtërore, na vjen si kujtesë historike e antropologjike, siç është, në këtë rast arka. Arka e nënës.

Arka, si mjet skenografik i monodramës omonime, na rikthen te mjeti skenografik i monodramës Aktori… te kutia e tij. Pra, arka dhe kutia (të thuash tani se janë e njëjta gjë në kuptimin e funksionit), janë element i përbashkët skenik – teatror i këtyre dy monodramave, edhe si letërsi. Arka dhe kutia janë sinonime të së shkuarës e të së tashmes, të kujtesës e të ripërjetimit, të dhimbjes e të dashurisë, të jetës e të vdekjes.

Monodramat Aktori në kuti, Ëndrra e fundit, Oficeri im i vogël dhe Arka të autorit Mentor Zymberaj shquhen edhe për një veçanti tjetër të përbashkët të tyre: personazhin. Ndërsa personazhet si vetje dramatike kanë për element të përbashkët tipizues: gjuhën skenike. E përbashkëta e tyre është se të gjithë këta personazhe vijnë nga galeria e njerëzve të etnitetit dhe entitetit tonë historik e aktual, por që me mënyrën e trajtimit të tyre, personae (karakteret) fitojnë përmasa universale, qoftë duke u mbështetur në elementet biografike, p. sh., profesioni), qoftë duke thurur veprimin sipas parimeve të përgjithshme letrare-dramatur­gjike, përkatësisht skenike-teatrore, qoftë në aspektin e trajtimit motivor dhe emocional, psikologjik dhe filozofik. Persona­zhet e tilla janë karaktere të mundshme dhe reale në kuptimin e dimensionit artistik e estetik të çdo letërsie dramatike, përkatësisht të çdo teatri jashtë gjeografisë kombëtare; janë karaktere me linja të theksuara e të mirëndërtuara dramatike madje, siç kemi potencuar në krye të herës, kanë detajin si veçanti. Këto detaje të personazheve jo vetëm i ofrojnë botës sonë elemente të mjaftueshme identifikuese (siç, fjala vjen, Uka te monodrama Ëndrra e fundit është portreti i patriotit, dijetarit e filozofit të politikës shqiptare, Ukshin Hotit), por shërbejnë, para së gjithash, për portretizimin emocional e cerebral të tyre si karaktere dhe temperamente. Detaji mundëson hapjen para recipientit për përqasje psikanalitike të personazheve dhe të tekstit si strukturë dramaturgjike.

Personazhet si vetje dramatike dhe ngjarjet si njësi struk­turore e përmbajtjesore, përveç diskursit denotativ të tyre, ofrojnë mundësi të shumta të leximit konotativ individual – autorial me gjetjen e premisave dhe analogjive të përgji­thshme sipas zbërthimit dhe interpretimit të shumësisë semiotike. Ndërsa në aspektin e determinanteve tekstuale, përcillet linja e konstruktimit semiologjik të leksemave, të cilat brenda vetes kanë, pos linjës dinstiktive shumështresore, edhe shenjën individualizuese.

Shenjë individualizuese në këto monodrama është edhe raporti ndërmjet temporalitetit të veprimit, përkatësisht temporalitetit historik dhe temporalitetit psikologjik, ku kalimi realizohet nëpërmjet procesit të një fuzionimi letrar e skenik, gati të pahetueshëm. Kjo mundëson funksionali­zimin e kompozicionit tempo-ritmik dramaturgjik, sipas ligjësorive të natyrshme letrare dhe skenike. Pa dyshim se ligjësoritë e vlerat e tyre janë produkt autorial i Mentor Zymberajt prej krijuesi letrar, aktori, regjisori e studiuesi të artit dramatik dhe teatror. Prandaj, nuk është aspak e rastësishme që këto monodrama (pos dramës Arka që ende nuk ka pasur premierë teatrore), gjatë jetës së tyre artistike-skenike kanë përjetuar dhjetëra çmime teatrore kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Avdullah…