Monografi elitare dhe kulmore për prozën moderne angleze
Dr. Lirak Karjagdiu
(Rreth librit të Prof. Dr. Muhamet Hamitit: Proza moderne- Xhozef Konradi dhe Xhejms Xhojsi, botoi Sh.B FAIK KONICA, Prishtinë, 2016)
Monografia Proza moderne- Xhozef Konradi dhe Xhejms Xhojsi e Prof. Dr. Muhamet Hamitit është një libër i rrallë, i cili trajton një temë dhe problem tejet interesant dhe aktual, me dobi të shumfishtë shkencore, akademike dhe filologjike. Ky libër para së gjithash është me interes dhe i dobishëm për studentët, studiuesit, intelektualët dhe dashamirët e gjuhës, letërsisë dhe kulturës, në përgjithësi dhe të letërsisë dhe prozës angleze, në veçanti. Pikërisht këtu konsiston edhe vlera kryesore e këtij studimi, ngase dihet studime të tilla të mirëfillëta dhe gjithëpërfshirëse, të nivelit të lartë akademik dhe shkencor për prozën moderne angleze në gjuhën shqipe janë shkruar fort pak apo pothuajse aspak. Libri i ka 328 faqe, që i paraprinë një parathënie dhe hyrje e ngjeshur dhe gjithëpërfshirëse e autorit të monografisë, në të cilën autori, pos tjerash, bën të ditur se libri ka si parabazë studimin Strategjitë narrative dhe kuptimi në prozën e Konradit dhe Xhojsit, të cilën e ka mbrojtur si tezë doktorate në vitin 2006. Në themel të vëmendjes së librit të Profesor Hamitit është lulëzimi i prozës moderne angleze, gjatë një çerek shekulli, duke u përqëndruar në dy autorë të mëdhenj të shekullit XX, Xhozef Konradin dhe Xhejms Xhojsin. Ndërkaq, vlerat, rezultatet dhe të veçantat më kryesore të këtij studimi janë qasja shkencore, analitike dhe sistemuese dhe literatura bashkëkohore, gjë që ka bërë të mundur arritjen deri te informatat e detajuara dhe të vërtetuara dhe analizat dhe rezultatet tejet të nevojshme, të dobishme dhe të jashtëzakonshme mbi prozën moderne angleze të Konradit dhe Xhojsit, të krijuar gjatë një çerek shekulli.
Autori i librit Prof. Dr. Muhamet Hamiti është një nga profesorët, studiuesit dhe anglistët më të spikatur. Gjatë karrierës së tij të begatshme pedagogjike, profesionale, shkencore dhe akademike është marrë jo vetëm me mësimdhënie, por ka shkruar edhe libra, monografi, punime shkencore dhe profesionale, ka përkthyer vepra të letërsisë angleze dhe amerikane, si dhe ka marrë pjesë në një mori kongresesh, simpoziumesh dhe konferencash shkencore jashtë vendit. Veç këtyre, ai ka një përvojë dhe karrierë të bujshme politike dhe diplomatike. Ka qenë Këshilltar i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, dhe ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar (Angli), është anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare.
Në parathënien dhe në hyrjen e këtij libri autori, veç tjerash, nga njëra anë parashtron arsyet që e kanë cytur ta hartojë këtë tekst, ndërsa nga ana tjetër bën fjalë për mënyrën se si e ka hartuar këtë monografi mjaft të rrallë. Kështu, në parathënie ai bën të ditur se zgjedhjen e kësaj teme e ka bërë me qëllim që t’i hetojë ligjësitë e prozës moderne angleze nga fillimet gjer ne frytnim të plotë, duke i marrë në shqyrtim dhe analizuar ndryshimet që ndodhin në zhvillimet strukturore dhe mundësitë kuptimkrijuese, format dhe domethëniet letrare të një çerek shekulli në prozën ilustrative të dy shkrimtarëve famëmëdhenjë anglezë, Xhozef Konradit dhe Xhejms Xhojsit. Ndërkaq, në hyrje të librit, ai vë në dukje se pikësynimi kryesor i librit të tij do të jenë leximi njëkohësisht edhe struktural edhe semantik i tri romaneve të këtyre dy autorëve zulmëmëdhenjë. Libri është ndarë sipas një renditje kronologjike. Kështu, pos parathënies dhe hyrjes, libri e ka edhe parashtresën teorike, pastaj tre kapitujt kryesor për të tri romanet: Zemra e errësirës e Xhozef Konradit, Portreti i artistit në rini dhe Uliksi të Xhejms Xhojsit, përfundimet, përmbledhjen në gjuhën angleze, indeksin e termave dhe listën e veprave të cituara.
Prezenca e veprave të Konradit dhe Xhojsit në gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqipe
Këtë studim e bën akoma më të rëndësishëm dhe të dobishëm edhe fakti se të tri këto romane janë të popullarizuara edhe në gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, ngase janë përkthyer në gjuhën shqipe nga përkthyes të talentuar, të rysur dhe të regjur nga Kosova dhe Shqipëria. Madje, ekzistojnë disa versione të përkthimeve të këtyre 3 romaneve. Kësisoji, romanin Zemra e errësirës e ka përkthyer së pari studiuesja dhe Profesoresha e mirënjohur nga Kosova Prof. Dr. Lindita Aliu, ndërkaq më pas përkthyesi dhe autori i fjalorëve anglisht-shqip nga Shqipëria Pavli Qesku. Ndërkaq, Portreti i artistit në rini është përkthyer fillimisht në Kosovë nga përkthyesi Ali Rrahmani, pastaj në Shqipëri nga Betim Muço. Ndërkaq, Uliksi është përkthyer për herë të parë nga përkthyesi i talentuar nga Shqipëria Idli Azizi, ndërkaq pas shumë kohësh është ripërkthyer nga Krenar Hadëri. Kjo flet pak a shumë për përhapjen dhe popullaritetin e Konradit dhe Xhojsit te shqiptarët, që fillon qysh në shekullin e kaluar dhe vazhdon edhe dita ditës.
Padyshim më i vështiri per t’u perkthyer ka qenë Uliksi. Lidhur me këtë edhe vetë autori i përkthimit të parë të Uliksit në gjuhën shqipe Idlir Azizi, në parathënien e tij mjaft analitike dhe gjithëpërfshirëse që i paraprinë përkthimit, ve në dukje se përkthimi i kësaj vepre tejet të ndërlikuar në gjuhën shqipe nuk kishte qenë i lehtë. Atij i ishin dashur mbi pesë vjet pune dhe lexime, krahasime dhe konsultime të shumta. Madje, ai bën të ditur se përkthimin e ka botuar nën konsulencën e disa shkrimtarëve, studiuesve dhe përkthyesve të shquar shqiptarë dhe të huaj si Ismali Kadare, Prof. Dr. Shezai Rrokaj, Mira Meksi dhe Danis Rose, Xhuliana Zeuli nga Shoqata e Përkthyesve Letrarë të Irlandës, Norin Rajs, etj. Për më tepër, për shkak të referencave të shumta që përdorë Xhojsi, autorit të përkthimit, për ta bërë përkthimin sa më të saktë, sa më të kapshëm dhe më të qartë, i është dashur të shfletojë shumë vepra të rëndësishme të letërsisë botërore si dhe përkthimet e Uliksit në gjuhën italiane dhe franceze. Megjithatë, për shkak të komplikueshmërisë së këtij romani, shumë vite më vonë pas daljes në dritë të versionit të parë të përkthimit të këtij romani hiperletrar, kësaj sfide i ka hyrë edhe përkthyesi Krenar Hadëri, duke e ripërkthyer dhe risjellë Uliksin në gjuhën shqipe.
Strategjia narrative e rrëfimit të misterit të udhëtimi drejt errësirës
Fillimisht, në epiqendër të vëmendjes analitike të Profesor Muhametit është romani i shkurtër Zemra e errësirës i Xhozef Konradit. Kjo vepër që doli në vitin 1902, dy vjet pas romanit Lord Xhim, u frymëzua nga përvoja e shkurtër dhe trazuese e shfrytëzimit belg të Kongos, që në atë kohë ishte koloni belge. Konradi u dëshpruar dhe pezmatua tej mase nga trajtimi dhe keqpërdorimi i afrikanëve dhe tregtia e fildishit në Kongo. Ai këtë e ilustron përmes personazhit të Kërcit, agjentit që erdhi me premtimin për qytetërim të Kongos po u shndërrua në harbutin e egër, i cili në momentet e fundit të jetës së tij është në ethe dhe duket të shohë diçka që ne si lexues nuk mundemi. Këtë e konfirmon edhe Dr. Hamiti: “Zemra e errësirës është tregim i kornizuar, në të cilin rrëfimtari parësor e paraqet Marlloun, rrëfimtarin në vetën e tretë (rrëfimtar intradiegjetik- homodiegjetik), dhe e përmbyllë tregimin-kornizë, pasi ta ketë thënë fjalën e mbramë Marlou. I mbërthyer brenda kallëzimit të Marlout është sheshazi edhe një tjetër, kallëzimi i Kërcit, i cili nuk shpaloset tamam asnjëherë”. Pikërisht në këtë mosshpalosje të kallëzimit të Kërcit fshihet ai misteri i udhëtimit drejt errësirës. Ndaj, vepra duket se sugjeron që ne nuk jemi në gjendje të kuptojmë errësirën që ka prekur shpirtin e Kërcit, sigurisht jo pa kuptuar atë që ai ka kaluar nëpër xhungël. Megjithatë, duke marrë pikëpamjen e Marlout, ne e shohim nga jashtë atë që e ka ndryshuar Kërcin, në mënyrë të parevokueshme nga njeriu evropian i sofistikimit në diçka shumë më të frikshme dhe më të llahtarshme.
Përdorimi i teknikës bashkëkohore rrëfimore
Është me interes të veçantë mënyra se si e ka trajtuar Dr. Hamiti romanin eksperimental post- viktorian apo romanin e rinisë së Xhojit me titull: Potretin e artistit në rini. Sipas tij, Xhejms Xhojsi (1882-1941) është përfaqësuesi më i shquar i romanit të përroit të ndërdijes në letërsinë moderne angleze të shekullit XX-të. Në vitin 1916, Xhojsi e shkruan romanin e parë të tij Portretin e artistit në rini, në të cilin ai për herë të parë filloi të eksperimentonte me teknikën rrëfimore dhe stilin. Ky roman sipas të gjitha gjasave shënon fillet e përdorimit të teknikës së përroit të ndërdijes, teknikë kjo që revolucionarizoi mënyrën se si shkruheshin romanet deri ne atë kohë. Portreti i artistit në rini, sipas shumë kritikëve, është një vepër ndërlidhëse midis fazës realiste të krijimtarisë artistike dhe letrare të Xhojsit dhe Uliksit, që njihet si kryevepra apo siç e quan Kadareja “katedralja e prozës së tij”. Rëndësia e kësaj vepre konsiston në faktin se ky është jo vetëm romani i parë i Xhojsit, por edhe sepse kjo vepër është shkruar me një stil më të thjeshtë dhe më të kapshëm për publikun e gjerë. S’do mend se, ajo që e bën romanin Portreti i artistit në rini aq të veçantë dhe aq të popullarizuar është përdorimit për herë të parë i teknikës rrëfimore të rrjedhës së ndërdijes, përmes së cilës autori na tregon dhe na rrëfen në mënyrë të drejtpërdrejtë për mendimet dhe ndjenjat e protagonistit, duke përshkruar se çfarë ndodh drejtpërdrejtë në mendjen e kryepersonazhit dhe duke i përshkruar ato thjeshtë nga pozita dhe pikëpamja e një vëzhguesi të jashtëm. Prandaj, përdorimi i teknikës rrëfimore të përroit të ndërdijes në këtë roman Xhojsit ia ka bërë të mundur që ta shpalosë në mënyrë gjithëpërfshirëse, autentike, bindëse, spontane dhe interesante formimin mendor, shpirtëror, moral, etik, profesional dhe artistik të protagonistit autobiografik, Stiven Dedalusit.
Monologu i brendshëm dhe stili multiplikativ te “Uliksi”
Në vijim të studimit të tij bashkëkohor për prozën moderne angleze, studiuesi Hamiti e analizon në detaje romanin e pjekurisë së plotë të Xhojsit Uliksin. Në këtë roman, për dallim nga Portreti, monologu i brendshëm bëhet mjet teknik mbizotërues. Sipas Dr. Hamitit Uliksi është një nga veprat ilustrative të modernizmit letrar, ka për protagonist një hebre irlandez, Leopold Bloom, 38 vjeçar, që është Uliksi (Odiseu) joepik, sepse romani në 18 episode ndërtohet mbi paralelizma me Odisenë e Homerit. Ndodhjet janë në Dublin, një ditë të vetme, më 16 qershor 1904, natyrisht me përthyerje e rrezatime kohore, letrare, gjuhësore, historike, shoqërore, politike, fetare, e të tjera, prej antikitetit deri në bashkëkohësi. Dy protagonistë të tjerë me peshë qendrore janë e shoqja e Bloom-it, Molly 33-vjeçare, Penelopa joepike, nga pozita e së cilës (si monolog i brendshëm) rrëfehet episodi i fundit, që është i gjatë dhe që përfshin edhe takimin e saj seksual me Bojllënin, dashnorin e saj, dhe Stivën Dedalusi, i riu me pretendime poetike dhe artistike, personazh që e njohim nga vepra paraprake e Xhojsit, Portreti i artistit në rini.
Po kështu, është me interes të sqarohet se Xhojsi në këtë roman ka eksperimentuar me një laryshi stilesh, duke përdorur stile jo vetëm të prozës së vjetër, por edhe stil të dokumentarit, pastaj zhargone ligjore, legjendare, epike, etj. Në të vërtetë, Xhojsi ka përdoruar afro 32 stile të ndryshme të prozës në gjuhën angleze, duke filluar që nga elementet latine, versioni i Biblës së Mbretit Xhejms, shkrimtarëve dhe prozatorëve më të spikatur të Viktorianizmit anglez si Dikensi, Thekeri, Njumeni, duke përdoruar edhe thekse të ndryshme të anglishtes me zhargon, të anglishtes së zezakëve, etj. Kjo është një prej arsyeve që Uliksin e bën si një ndër veprat më të ndërlikuara dhe më komplekse të shekullit XX-të. Lidhur me këtë Dr. Hamiti me të drejtë konstaton se: “Stili multiplikativ i Xhejms Xhojsit tek Uliksi del si sistem që krijon dhe sfidon kuptimin. Madje vë në provë vetë prodhimin e kuptimin si proces”. Ndërkaq, edhe vetë Xhojsi e kishte thënë si me shpoti se këtë vepër e ka bërë kaq komplekse që të bëhej i përjetshëm, meqë kësisoji kritikët, studiuesit dhe profesorët “me shekuj do të përlahen me fjalë rreth asaj se çka kam dashur të them”.
Xhojsi dhe shqipja
Xhojsi është i popullarizuar në gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqipe jo vetëm për shkak të përkthimit të kryeveprave të tij nga përkthyes të dalluar dhe të talentuar, por edhe për arsye se ai në romanin e tij më të nderlikuar me titull Zgjimi i Fineganit ka përdorur fjalë të gjuhës shqipe. Ndaj, në fund Dr. Hamiti jep edhe të dhëna interesante mbi atë se çfarë e lidhë Xhojsin me shqipen. Në këtë roman, Xhojsi ka përdorur 40 gjuhë, përfshirë këtu edhe shqipen. Profesor Hamiti bën të ditur se, në listën e këtyre gjuhëve që ishte hartuar me dorë nga vetë shkrimtari, shqipja radhitet e 32-ta dhe se prania e një sërë fjalësh shqipe është hetuar së pari nga studiuesi amerikan i Xhojsit Nathan Helper, në vitin 1963, pastaj nga M.J.C. Hodgardi, i cili e botoi një vit më vonë një shkrim lidhur me këtë çështje. Edhe në Rumuni, në vitin 2012 është botuar një leksikon i fjalëve të gjuhëve “të vogla” që janë përdorur në këtë roman. Në të identifikohen 16-17 fjalët shqipe. Këto fjalë lidhen kryesisht me ushqimin, me vaktet e hajes, me marrëdhëniet familjare, por ka edhe një emër (Dalbania) që është interpretuar si kompozitë e emërvendeve Dublin dhe Shqipëri. Në vijim të kësaj pjese, studiuesi Hamiti vë në dukje se Xhojsi ka mundur t’i ketë mësuar këto fjalë nga shqiptarët që kanë jetuar në Trieste të Italisë në kohën kur ai ka punuar dhe jetuar në këtë vend. Mirëpo, është interesant se, Dr. Hamiti bën të njohur edhe faktin, që rrallë dhe pakkush e di, se çështjen e përdorimit të fjalëve në gjuhën shqipe të Xhojsit e ka trajtuar më detajisht në një shkrim Dr. Ibrahim Rugova (1944-2006), studiuesi shqiptar i letërsisë, më vonë President i Kosovës, i cili pohon se ka edhe fjalë të tjera që ka përdorur Xhojsi në këtë roman, ndërsa shpreh mendimin se Xhojsi mund të ketë nxjerrë fjalë shqipe nga inkonabula, libra të epokës së parë të shtypit, para vitit 1500. Dr. Ibrahim Rugova bëri kërkime për këto fjalë shqipe në romanin e Xhojsit gjatë qëndrimit të tij studimor në Paris, pasi që rastësisht i kishte rënë në dorë libri i M. Hodgartit për Xhojsin (James Joyce- A Student-s Guide, 1978/1983), të cilat më pasi i botoi në shkrimin e tij Xhojsi, shqipja dhe Aristoteli në gazetë, në vitin 1985. Sipas Dr. Rugovës, në të vërtetë Xhojsi i ka përdorur 70 fjalë e shprehje shqipe në romanin e tij Zgjimi i Fineganit, më konkretsht në faqet 110-114, si dhe në faqet 284, 343, 344 dhe 350. Ky shkrim i Dr. Ibrahim Rugovës më pas është botuar edhe te vepra e Prof. Dr. Akademik Sabri Hamitit me titull: Presidenti Ibrahim Rugova: Momento për Rugovën.
Në fund vlen të theksohet se, për hartimin e kësaj monografie, autori ka shfrytëzuar një literaturë mjaft të begatë, bashkëkohëse dhe të larmishme. S’ka pikë dyshimi që kjo vepër e rrallë shkencore do t’i pasurojë dhe avansojë idetë, kritikën dhe studimet tona letrare, ngase është hartuar me përkushtim, kompetencë, seriozitet dhe profesionalizëm të lartë. Ky botim plotëson një zbraztësi të madhe në fushën e gjerë e të begatë të studimeve të letërsisë moderne angleze, ndaj do t’i kontribuojë leximit, përhapjes dhe njohjes më të mirë të këtyre autorëve dhe veprave jo vetëm nga studentët, studiuesit, ligjëruesit e gjuhës dhe letërsisë angleze, por edhe nga intelektualët, kritikët dhe dashamirët e kësaj gjuhe dhe letërsie aq të begatë. Madje, unë jam i bindur se, kjo monografi elitare dhe kulmore dhe do të shërbejë si model i shkëlqyeshëm për hartimin e studimeve të tjera bashkëkohore.