MONOGRAFIA E PARË PËR ALBANOLOGUN NORBERT JOKLI
Shkruan: Begzad Baliu
Petrit Kotrri, Norbert Jokl: und seine Studienzur Albanischen Sprache, “Dukagjini Publishing House”, Pejë, 2003, f. 295. ISBN: 9951-05-027-1. (Norbert Jokli dhe studimet e tij për gjuhën shqipe), Biblioteka në gjuhë të huaja “Balkanbooks” Dukagjini, Prishtinë, 2003.
Historia e gjuhësisë shqiptare, për më shumë se katër shekuj, është histori e rezultateve shkollore, e metodave dhe individua¬liteteve, të cilat i kanë sjellë shkollat dhe studiuesit, kryesisht të proveniencës së Europës Qendrore dhe Perëndimore, apo asaj italiane, franceze, gjermane dhe austriake përgjithësisht. Pasqyra e personaliteteve dhe veprave të tyre tashmë dihet, por njohuritë për jetën dhe bëmat e tyre përgjithësisht janë të zbehta. Dihen edhe arsyet e kësaj mungese: pamundësia për të hulumtuar ndër arkiva shkencore ku zakonisht gjenden të dhënat për jetën dhe trashëgiminë e tyre; një jetë shpesh krejt tjetër e tyre profesionale (bartësit e studimeve albanologjike, më parë se sa gjuhëtarë, ishin kryesisht tregtarë, misionarë fetarë, ushtarakë, diplomatë etj) dhe, së fundi, një veçori që ndryshe nga studiuesit e historisë së letërsisë i ka përcjellë studiuesit e filologjisë: historianët e letërsisë kanë qenë të prirë për të shkruar jo vetëm studime por edhe monografi historiko-letrare, ndërsa historianët e gjuhësisë kanë qenë të prirë kryesisht pas problemeve deskriptive dhe normative, nuk e kanë bërë këtë as për jetën as për veprën e tyre.
Është e kuptueshme, prandaj pse monografitë për jetën dhe veprën e tyre sot mund të numërohen me gishta të një dore: për Hahn-in dhe Jokl-in në gjuhën gjermane dhe për Xhuvanin, Çabejn e Rizën në gjuhën shqipe. Nëse përjashtohen monografitë në dorëshkrim të Profesor Jup Kastratit: për Joklin, Kamardën, Majerin etj., nuk është vështirë të kuptojmë se ne ende, jo vetëm që nuk kemi monografi në gjuhën shqipe, (bie fjala për tregtarin gjerman që la gjurmët më të vjetra të gjuhësisë shqiptare – Harfin, biografia e të cilit ndoshta edhe nuk është kushedi sa interesante për ne), por as për themeluesin e albanologjisë parashkencore – Hahn-in, as për themeluesin e albanologjisë shkencore – Gustav Majerin, as për themeluesin e gjuhësisë historike – Norbert Joklin, as për sintetistin e gjuhësisë historike shqiptare – Eqrem Çabejn, as për njërin prej bartësve më të mëdhenj të studimeve shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX – Maksimilian Lambercin, as për linguistin më të madh të gjysmës së dytë të shekullit XX – Selman Rizën etj. Po t’i përcillte historianët e gjuhësisë logjika historiko-letrare e kërkimeve, sikur i ka përcjellë historianët e letërsisë, sot do të kishim monografi shteruese edhe për gjuhëtarët që kanë qenë bartës të ndërtimit shkollor, institucional dhe metodik të gjuhësisë shqiptare, si: Justin Rrota, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Jup Kastrati, Androkli Kostallari, Gjon Shllaku etj., pavarësisht se disa nga këta ende vazhdojnë të bëjnë sintezën e veprave të tyre.
Më 1966, në Wiesbaden studiuesi Gerhard Grim pat botuar një monografi shteruese për Johann Georgvon Hahn (1811-1869), me 358 faqe shtypi. Vepra e Profesor Petrit Kotrrit është monografia e dytë e këtij lloji për një albanolog të huaj, jo vetëm për faktin se është shkruar në gjuhën gjermane, por edhe për arsye se është vepër e shkruar me kritere, kërkesa dhe metoda shkencore, të cilat kanë sjellë të plotë universin jetësor dhe shkencor të tij. Mbase jo rastësisht. Shkolla austro-gjermane, krahas shkollës linguistike italiane, ka sjellë një frymë të fuqishme filologjike në Shkodrën e gjysmës së parë të shekullit XX, të cilën nuk ia ka arritur ta lëkund, si metodë, për gjysmë shekulli asnjëra prej metodave të investuara në gjysmën e dytë të shekullit XX, pavarësisht nga presioni ekstrashkencor me të cilin përcilleshin ato. Vepra e Profesor Petrit Kotrrit për Joklin sot mund të thuhet po e ndërlidh atë traditë të shkëlqyer të reflektimit të shkollës austo-gjermane, për shumë arsye: Profesor Petrit Kotrri është nxënës i brezit të mesëm të studiuesve që kanë dalë nga shkolla shkodrane e studimeve albanologjike, me dijen bazë mbi gjuhësinë shqiptare; është specialist i albanologjisë në Universitetin e Gracit dhe sidomos i metodave më të arrira të saj; ndërsa dijen e tij sot e investon me përkushtim në brezin e ri të studentëve të Shkodrës. Me të gjitha këto, autori i veprës për Norbert Joklin sot mund të thuhet paraqet një model të mirë në studimet albanologjike, prandaj edhe një mjeshtër shembullor për studimet e ardhshme të kësaj natyre.
Brenda këtyre proceseve nëpër të cilat ka kaluar shkolla gjuhësore shqiptare në përgji¬thësi dhe rruga e formimit intelektual e shke¬ncor të autorit, ndërtohet edhe vepra kushtuar Norbert Joklit dhe studime të tij për gjuhën shqipe. Në gjuhësinë shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX janë shkruar mjaft artikuj vlerësues, përkujtues e kërkues (Konica, Koliqi, Gazulli, Çabej, Demiraj, Domi, Dhrimo, Kotrri etj.), për jetën dhe veprën e Norbert Joklit, prej të cilëve, kryet e vendit e zë, mbase edhe sot, studimi shterues kronologjik i Profesor Jup Kastratit , por studimeve albanologjike u mungonte një monografi në të cilën personaliteti i Norbert Joklit dhe rëndësia e veprës së tij do të shiheshin në një dritë të re të kërkimit, krahasimit dhe rivlerësimit, e cilat më parë nuk ka qenë e mundur të bëhet edhe për shkak të kushteve të tjera, të cilat e përcillnin jetën tonë shkencore.
Vepra “NorbertJokli dhe studimet e tij për gjuhën shqipe” e mbrojtur tezë doktorate në Innsbruck (1996), përbëhet nga pesë kapituj.
Në kapitullin I është paraqitur “Jeta e Norbert Joklit” duke e parë atë në dritë të re, të ngritur nga një mori dokumentesh të zbuluar nga autori në Arkivin e Universitetit dhe në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë. Kohëve të fundit janë sjellë mjaft të dhëna të reja (kryesisht përmes kujtimeve dhe letërkëmbimit të Joklit me personalitete të ndryshme të kohës), por ato flasin përgjithësisht për vitet e fundit të jetës së tij, përkatësisht për përpjekjet e fundit të personaliteteve kulturore e shkencore shqiptare për të shpëtuar Norbert Joklin nga likuidimi i nazistëve gjermanë. Prandaj, për autorin shtrohej një obligim, që të mos përsëriste të dhënat, tashmë të thëna shumë herë për Norbert Joklin, por të bënte gjurmime të reja në interes të një pasqyre të plotë të jetës së tij. Në këtë kapitull jeta e tij është trajtuar duke iu përmbajtur kronologjisë së një jete të pasur dhe me plotë bëma shkencore në fushë të albanologjisë, ballkanologjisë e indoeuropeistikës, por ajo në rrjedhojat e saj është plotësuar edhe me të dhëna të reja (dokumente, kujtime, letërkë¬mbim etj.,) me të cilat në mënyrë të veçantë shpjegohet fundi tragjik i jetës së tij, sado që ai përfundim do të mbetet edhe më tej një dramë e errët në albanologji.
Kapitulli II “Vlerësimet kritike të veprës së Norbert Joklit” pasqyron vlerësimet e derita-shme të veprës së tij, qoftë nga studiues të kohës së tij, madje edhe kolegë e nxënës të tij, si: Taliavini, Solta, A. Xhuvani, E. Koliqi, E. Çabej etj., qoftë nga studiues dhe personalitet të tjera të një periudhe më të re, si: Mahir Domi, Jup Kastrati, Ali Dhrimo etj. Pikëpamjet e tyre sillen këtu për probleme nga më të ndryshmet. Tagliavini, ishte ndër dialektologët e mëdhenj të kohës, po sikur edhe Jokli në fillimet e tij, për të mos thënë kërkimet biblio¬grafike të Joklit dhe botimin e tyre në Vjetarin indoeuropian për shqipen i vazhdoi Tagliavini; Solta, ishte nxënës i tij dhe kujtimet ashtu sikur edhe studimet e tij për Joklin thonë shumë; Xhuvani në gjysmën e parë të shekullit XX ishte përfaqësues i gjuhësisë shqiptare në Shqipëri, për aq sa Jokli po të njëjtën kohë ishte bartës i gjuhësisë shqiptare në rrethet europiane; Çabej ishte nxënës i tij dhe vazhdues besnik deri në vdekje i shkollë dhe metodave të tij në gjuhësinë shqiptare të shekullit XX. Me Joklin e lidhin vlerësimet e dyanshme për veprat e tyre deri në ditët e fundit të jetës së Joklit; Koliqi ishte një dashamirës dhe njohës i tij i përkushtuar për hir të vlerësimit të tij dhe punës së tij për gjuhën dhe shqiptarët etj. Po kështu mund të thuhet edhe për studiuesit e huaj e shqiptarë të cilët nuk e kanë njohur Norbert Joklin por veprën e tij e kanë përdorur si një vademekum në kërkimet e tyre të fushës së gjuhësisë historike. Mahir Domi do të mundë të vlerësohej për botimin e letërkëmbimin e Joklit, Ali Dhrimo për përkthimin e veprës së tij në gjuhën shqipe, ndërsa Jup Kastrati për studimin më të plotë, më të thellë dhe më të zgjeruar në studimet albanologjike. Sikur shkruan autori i kësaj vepre, Profesor Jup Kastrati është njëkohësisht edhe nuni i studimeve albanologjike në gjuhën gjermane të Profesor Kotrrit. Ndonëse i shkruar tri dekada më parë, studimi i Profesor Jup Kastratit, edhe sot paraqet bazën më të sigurt të kërkimit bibliografik, kronologjik dhe studimor të veprës së Joklit përgjithësisht. Ai e ka vlerësuar veprën e gjithmbarëshme të tij për: “objektivitetin shke¬ncor, gjykimin e ftohtë, mendimin e peshuar hollë e mirë, pasurinë e madhe të materialit faktik dhe të burimeve të shumta bibliografike, horizontin e gjerë të trajtimit të çështjeve, erudi¬cionin e autorit, parashtrimin e problemeve më të koklavituara me qartësi dhe me një metodë të rreptë shkencore, me deduksione logjike, me shumë respekt për paraardhësit dhe po me kaq konsideratë për bashkëkohësit, pavarësisht nga tezat dhe rrugët e tyre”. (201)
Nëse kapitulli i parë dhe kapitulli i dytë do të mund të vlerësoheshin për pasqyrimin e plotë historik të jetës, veprës dhe horizontit të pritjes së saj ndër bashkëkohësit dhe pasardhësit e albanologjisë, kapitulli i tretë dhe i katërt do të mundë të vlerësohen për paraqitjen kritike të veprës së Joklit si nga ana e brendshme e kontributeve të Joklit, ashtu edhe në krahasim me paraardhësit dhe pasardhësit e tij më të njohur në fushë të albanologjisë.
Në kapitullin III “Studimet e Norbert Joklit për hulumtimin e gjuhës shqipe” trajtohet gjerësisht kontributi i tij në këtë fushë. I shikuar nga brenda, ky është kapitulli kryesor i monografisë së Profesor Petrit Kotrrit, përmes të cilit në mënyrë shteruese është bërë pasqyrimi i veprës së tij mbi gjuhën shqipe, mbi shqiptarët, por edhe mbi përkimet e shqipes në rrethin ballkanik dhe indoeuropian. Me të drejtë. Norbert Jokli ka shkruar një varg monografishë themelore dhe monumentale edhe sot mbi gjuhësinë historike të shqipes. Në këtë monografi ato janë trajtuar sipas vendit dhe rëndësisë që zënë në studimet albanologjike. Ndonëse “Fjalori etimologjik” i tij, i cili konsiderohet jo vetëm kryevepra e tij, por edhe kryevepra e albanologjisë në gjysmën e parë të shekullit XX, sot besohet të jetë humbur, studimet e tij për monografitë: “Studimet për etimologjinë shqipe dhe fjalëformimin” ( e cila besoj të jetë edhe vepra bazë e “Fjalorit”, në mos sinteza e tij) dhe “Hulumtime gjuhësore dhe historiko-kulturore në fushë të shqipes”(1923), dëshmojnë për pasurinë e madhe të Joklit dhe kontributet e tij dhënë kulturës shqiptare. Sikur dihet, Norbert Jokli ishte i prirë, që të gjitha problemeve të trajtuara t’u jepte karakter monografik, prandaj përtej këtyre monografive, sot monografi më vete mund të konsiderohen edhe studimet, si: “Shqiptarët” por edhe recensionet, si: “Sllavë dhe shqiptarë”. Veprat e tij monografike, studimet e tij të karakterit monografik dhe më në fund recensionet e tij të gjera dhe po kaq të karakterit monografik, dëshmojnë për një metodë të tij të përhershme për t’i parë problemet me gjithë kompleksitetin e tyre historik, sociologjik dhe gjuhësor, që ishte njëkohësisht edhe prirje e shkollës së kohës. E shkruar gati një shekull pas fillimit të botimit të veprës së tij, vepra e Norbert Joklit, natyrisht që është parë në një dritë të re të studimeve bashkëkohore, për të thënë mbase edhe më drejt, në një dritë të arritjeve të albanologjisë. Por, ky shikim, nuk e ka zbehur rëndësinë e veprës së Joklit pas një shekulli, qoftë edhe vetëm për një fakt të vetëm: bardët e studimeve albanologjike të shekullit njëzet e kishin për nderë të quheshin nxënës të Joklit, ndërsa avancimin metodologjik të shkollës gjuhësore historike e konsideronin detyrë të tyre, brenda gjuhësisë shqiptare dhe të krahasuar me gjuhët ballkanike e më tej. Në anën tjetër, edhe në këtë kapitull temë e pakalueshme do të bëhet problemi i vendit të gjuhës shqipe dhe popullit shqiptar në Ballkan, përkatësisht atdheu ballkanik i tyre, sikur është bërë zakon të thuhet. Megjithëse, në tri dekadat e fundit rezultatet e këtij problemi duken mjaft të stabilizuara jo vetëm në rrethet shkencore shqiptare, por edhe në rrethet gjuhësore europiane, kontributi i Profesor Petrit Kotrrit për ta rishikuar vendin e koncepteve të Joklit mbi këtë problem është domethënës.
Autori i monografisë, Profesor Petrit Kotrri, e ka njohur këtë shkollë, i njeh rezultatet e këtyre arritjeve brenda gjuhësisë shqiptare e ballkanike, prandaj edhe vrojtimet e tij të reja sidomos nga aspekti krahasues kanë sjellë rezultate interesante për kohën tonë. Për herë të parë kemi një analizë të vepër së tij të shkruar mbi kriterin e rëndësisë dhe vlerësimit të saj. Mendimi ynë për veprën e Joklit, i nxjerrë nga studimi i Kotrrit tani është i plotë dhe njëkohësisht sipas një hierarkie shkencore.
Kapitulli IV merret me “Metodën e Joklit në krahasim me atë të Gustav Majerit dhe Eqrem Çabejt”. Mbase, ky kapitull, një ditë do të jetë vepër e re e Profesor Kotrrit. I shtruar kështu, ky kapitull jo vetëm zgjeron kërkimet e autorit për vendin e studimeve të tij, por mjeshtrit të tij, në parim, i jep vendin e gjithëpushtetshëm në historinë njëshekullore të studimeve albanologjike. Jo njëherë në studimet e tij, Çabej theksonte trinomin Majer-Pedersen – Jokli. Autori i kësaj vepre, mendoj kishte mundësi të krijonte një rreth më të gjerë: Majer-Pedersen – Jokli – Lamberc- Çabej, por me të drejtë, rrethin e mbylli me trinomin: Majer-Jokli-Çabej. Ata i bashkonte shkolla austriake, metoda, sidomos fusha e tyre: etimologjia. Shënojmë fushën e jo veprat, për arsye se Majeri botoi “Fjalorin etimologjik të shqipes”, Jokli e humbi “Fjalorin etimologjik të shqipes” pa e përfunduar, të cilin e shkruante, sikur thotë nxënësi i tij Solta, në margjina të Fjalorit të Majerit, dhe Çabejt, i cili më parë se sa ta përgatiste fjalorin etimologjik, besonte t’i përfundonte “Studimet etimologjike në fushë të shqipes”, për të mos i përfunduar as ato në shkallën që dëshironte. Përveç metodës, në këtë trinom Joklin e lidh me Majerin, Fjalor,i ndërkaq, me Çabejn, studimi pararendës i tij. Majeri botoi rezultatet e Fjalorit, ndërkaq Jokli dhe Çabej botuan metodën (parathënien – hyrjen) e kërkimit. Është e kuptueshme prandaj pse Jokli e ka përcaktuar metodën e studimit, ndërkaq Çabej e ka avancuar atë, duke i dhënë albanologjisë drejtime të reja. Majeri shkonte nga rastet e jashtme (me bazë kryesisht arealin latino – roman) në gjendjen e brendshme; Jokli shkonte nga trashëgimia indoeuropiane në lidhjet e brendshme; ndërsa Çabej paraqet një përparim metodik në këtë drejtim: ai kalon nga trashëgimia dialektore dhe e shkruar, me metodën krahasimtare, edhe në krahasim me gjuhët e tjera, deri tek rindërtimet indoeuropiane.
Duke sjellë rezultatet e tyre të përgjithshme dhe shembujt e veçantë, autori i kësaj monografie ka theksuar njëkohësisht edhe pikëtakimet e tyre në metodologji dhe dallimet në rezultate, ndërmjet Majerit, Joklit dhe Çabejt. Pra, në këtë mënyrë ai ka krijuar një pasqyrë të plotë të kërkimeve shkencore në fushë të etimologjisë nga tre breza, pavarësisht linjës së përhershme shkollore, metodike dhe kulturore që i përcjell.
Majeri ishte zotërues i thellë i shkollës gjuhësore më të përparuar të kohës, por dijen për shqipen e kishte nga kolonitë e saj. Përtej leksikut të kohës dhe atij dialektor, Majerit i mungonte edhe trashëgimia gjuhësore e shkruar nga shkrimtarët e letërsisë së vjetër.
Jokli jo vetëm ishte zotërues i shkollës më të përparuar gjuhësore të kohës, por nga aspekti metodologjik shënonte përparime të dukshme në krahasim me Majerin. Gjithashtu dijen për shqipen e kishte më të avancuar: sidomos sa i përket literaturës së saj dhe dialekteve anësore, apo të studiuara në kohën e tij. Duke qenë fillimisht një sllavist mes helenistëve e romanistëve, ai njëkohësisht ishte një ballkanist në kuptimin e plotë të fjalës dhe një albanolog që caktoi kordinatat afatgjata të albanologjisë së shekullit XX.
Çabej, ishte nxënës i Joklit dhe pavarësisht prej rezultateve të reja në fushë të metodologjisë, në parim ai ishte zbatues i drejtpërdrejtë i metodave të Majerit dhe sidomos të Joklit, prandaj vepra e tij me të drejtë sot konsiderohet sintezë e studimeve albanologjike në përgjithësi dhe e arritjeve të studiuesve më të mëdhenj, ku kryet e vendit zënë Majeri, Pederseni, Jokli, Malte – Brun etj., në veçanti. Përtej njohjes së shkollës dhe metodës së gjuhësisë historike, Çabej i dha rëndësi edhe gjeografisë gjuhësore, meqë njohuritë e tij për elementet konservatore të dialekteve shqiptare ishin shumë të gjera në krahasim me dy paraardhësit e parë, ndërsa trashëgiminë letrare të shkrimtarëve të vjetër (Buzukun, Bogdanin, Budin etj.) edhe vetë me kohë i bëri pronë të tij kërkimore. Duke qenë zotërues i të gjitha këtyre aspekteve është e kuptueshme pse Çabej në këtë trinom do të bëhet njëkohësisht sintetizues i rezultateve të dy paraardhësve të tij dhe shënuesi i rezultateve më të larta në këtë fushë, ndërsa në këtë rrjedhë, autori i kësaj monografie do të jetë kritiku i tyre.
Në kapitullin V “Lidhjet e Norbert Joklit me indoeuropianistë, ballkanologë, albanologë dhe studiues shqiptar në bazë të trashëgimisë (gjuhësore) të tij”, në mënyrë mjaft origjinale është pasqyruar kjo lidhje, përmes letrave, në të cilat gjendet një pjesë shumë e rëndësishme e pikëpamjeve të tij mbi metodën e studimeve në fushë të albanologjisë, mbi konceptet e tij për drejtimet dhe rrugën që duhet të merrnin këto studime në të ardhmen etj. Ky letërkëmbim i mbajtur me personalitete të shquara të dijes shqiptare, ballkanike e më gjerë, si: Kretschmer, Krahe, Tagliavini, Spitzer, Leotti, Stadtmuller, Gjergj Fishta, Konica, Pekmezi, Gazulli, Gurakuqi, Marlekaj etj., dëshmon për rrugët e komunikimit të tij, për mënyrën e mbledhjes së veprave albanologjike, për mënyrën e vjeljes së leksikut dhe trashëgimisë tjetër gjuhësore etj. Ky letërkëmbim përfshinë edhe elemente të rëndësishme të jetës së tij krejt personale, në kohën që ideologjia fashiste por zgjerohej në Europë e më tej.
Si zakonisht, libri mbyllet me një bibliografi të shkrimeve të Norbert Joklit, një bibliografi të shkrimeve për Norbert Joklin, ndërsa veçanti e saj është “Pasqyra e leksioneve të Norbert Joklit nga viti 1914 deri më 1938, krahas shqipes edhe për fino – ugrishtën, baltishtën dhe sllavishten”.
Duke përfunduar. Vepra e Profesor Petrit Kotrrit, është shkruar paraprakisht si tezë doktorate. Veprat e tilla zakonisht kanë anët e mira të përcjelljes mentoriale, por njëkohësisht kanë kufizimet parimore të metodës dhe mentorëve të tyre. Në këtë rast autori, mbase me të drejtë, ka zgjedhur për botim në gjuhën gjermane të veprës së tij vetëm atë që e ka shquar si më të rëndësishme, ndërsa pjesën kryesisht arkivore e ka lënë për botimin e veprës në gjuhën shqipe, ku dorëshkrimet, letrat, dhe dokumentet e tjera çojnë peshë më shumë.
Pavarësisht nga kjo anë, Profesor Kotrri ka punuar me ndërgjegjen e albanologut që lexuesit po i jep jo vetëm monografinë e parë për Joklin, por edhe njërën prej monografive të para të kësaj plejade albanologësh. Me këtë vepër autori ka sjellë jo vetëm monografinë e parë për Norbert Joklin, por edhe një pasqyrë të pasur informative, kulturore dhe shkencore të punës së Joklit, vepra e të cilit për fat të keq edhe më tej vazhdon të njihet vetëm në rrethet e ngushta shkencore, sado ajo i flet shumë edhe sot botës shqiptare në shumë fusha të dijes. Profesor Kotrri kishte trashëguar një dije ultrashkencore për kontributin e Joklit kryesisht në disa fusha të gjuhësisë, si morfologjia dhe etimologjia, dhe një dije kryesisht vulgare, që gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX është shkruar për kontributin e tij në fushë të studimeve shqiptare. Prandaj, me të drejtë, në këtë vepër, Profesor Petrit Kotrrit, falë metodës me të cilën ka punuar dhe dokumenteve të reja që ka sjellë, ato dy elemente të skajshme që kishte trashëguar i ka ndërlidhur me sukses, duke na dhënë kështu një monografi mjaft të plotë për Norbert Joklin dhe një shembull të mirë se si duhet t’i shkruajmë monografitë edhe për shumë albanologë të tjerë.