MONOLOG I TË RËNËVE NË REÇAK

11 shkurt 2021 | 14:35

AGIM VINCA

 

 “Atë që pamë në cikmën e janarit

Do t’ia rrëfejmë natës së varrit”.

 

Ne ramë si gruri nga dorë e xhelatit

Në këto gërxhe e skërka të Ballkanit.

 

Dhe s’ish luftë e parë, e dytë, as e tretë

Shekulli po i afrohej fundit të vet.

 

Ishim në gjumë e ëndërrime

Kur na i shqyet dyert me çizme

 

E na vutë para tytash e tankesh

Gjersa na gritë mes monopatesh

 

Burra e gra, pleq e fëmijë

Në natën sterrë, në skërkën gri.

 

Përse na ratë, përse na vratë

Kokën nga trupi përse na e ndatë?

 

Ne s’kishim armë, as uniformë

Ishim fshatarë, të urtë, paqësorë.

 

Jetonim të lirë në tokën tonë.

(Të lirë në ferr, eh, ç’iluzion!)

 

Më fort se plumbi, thika e krimi

Na rëndon fyerja e poshtërimi!

 

Pasi na korrët si deshët vetë

Përse na endni poshtë e përpjetë;

 

Përse na shpini nga morgu në morg

Në natën sterrë, në natën korb?

 

Përse na stivoni në hajate xhamish

E na rivrisni sërish sërish?

 

Përse talleni me trupat tanë:

Sa në tribunë, sa në ekran?

 

Ndalni gënjeshtrat, shpifjet plot bujë

Gjaku i derdhur nuk bëhet ujë;

 

Na lini të qetë, të grirë, të flakur

Dhe – mos e harroni përrallën e përgjakur!

 

(Prishtinë, janar-shkurt 1999)

  

(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur fajtor Zoran Gjokiqin, i…