Monroe transferohet te Toronto
Greg Monroe do të ndryshojë sërish skuadër në NBA. Lojtari shtatlartë ka arritur një marrëveshje me Toronto Raptorsin.
Ai u zgjodh si zgjedhja e shtatë në draftin e vitit 2010 dhe ka kaluar pesë vjetët e para në karrierë me Detroit Pistonsin. Në 2015-n ai nënshkroi një kontratë trevjeçare, ku përfitoi 50 milionë dollarë me Milwaukee Bucks.
Në sezonin që lamë pas, Monroe luajti me tri skuadra. Fillimisht me Bucksin, më pas u shkëmbye me Eric Bledsoe e shkoi tek Phoenix Suns dhe në shkurt nënshkroi me Boston Celticsin. Gjatë kampionatit të shkuar ai shënoi një mesatare prej 10.3 pikësh e 6.9 topash në tabelë për ndeshje. Në dy vjetët e fundit ka pasur një rënie të performancës së tij, por gjithsesi ai mund t’i sjellë shumë ekipit të tij të ri, edhe për shkak të përvojave të tij. Me Serge Ibaka dhe Jonas Valanciunas, që e kanë provuar tashmë veten për ekipin kanadez, Monroe me shumë gjasa do t’i nisë ndeshjet nga stoli, por pritet të ketë një minutazh të lartë dhe të jetë një lojtar kyç për trajnerin e ri të Raptorsit, Nick Nurse.