“Montessori” me projekt konkret për hapjen e një çerdhe në Mitrovicë
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur të enjten përfaqësuesin e Qendrës Arsimore “Montessori” nga Wiesbadeni i Gjermanisë, Ulrich Mann, i cili para kryetarit Bahtiri ka prezantuar modelin e një çerdheje që do të ndërtohet në Mitrovicë.
Gjatë këtij takimi kryetari Bahtiri ka falënderuar përfaqësuesit e QA “Montessori” nga Gjermania për interesimin e tyre të treguar që të investojnë ne institucionet parashkollore në qytetin e Mitrovicës duke mundësuar kështu që gjeneratat e reja të edukohen në frymë e kushte evropiane.
Ulrich Mann nga QA “Montessori”, po ashtu ka falënderuar kryetarin Bahtiri për gatishmërinë e shprehur për të mbështetur ndërtimin dhe funksionimin e një çerdheje në Mitrovicë. “Institucioni ynë ka shtrirje në shumë vende të botës dhe modeli modern i kësaj çerdheje është realizuar nga ekspertë të kësaj fushe. Ne do të bëjmë përpjekje për të gjetur donatorë të ndryshëm për realizimin e këtij qëllimi sepse jemi të njoftuar që mundësit buxhetore te komunës janë të kufizuara”, i ka thënë ai kryetarit Bahtiri.
Të dy palët u pajtuan që fillimisht të sigurohen mjetet financiare për realizimin e këtij projekti, pastaj komuna do të fillojë procedurat për dhënien e tokës në shfrytëzim.