Moon dhe Kim bisedojnë për denuklearizimin e Gadishullit Korean
Liderët e Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut po takohen në Phenjan, për bisedime rreth denuklearizimit.
Koreja e Veriut ka mbajtur një seri takimesh të rralla këtë vit edhe me Jugun, edhe me ShBA-në.
Por, bisedimet me Uashingtonin kanë ngecur dhe palët kanë rënë dakord vetëm për qëllime shumë të përgjithshme.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, shpreson të jetë ndërmjetësues midis Veriut dhe SHBA-së, si dhe të thellojë marrëdhëniet ndër-koreane.
Moon dhe gruaja e tij, Kim Jung-sook, arritën në Phenjan të martën, për vizitë treditëshe.
Ata u pritën nga lideri verikorean, Kim Jong-un, dhe gruaja e tij, Ri Sol-ju.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe udhëheqësi verikorean, Kim, kanë nënshkruar gjatë takimit të tyre në qershor një marrëveshje për denuklearizimin e Gadishullit Korean, por ajo është kritikuar për mungesë detajesh, raporton “Rel”.
Shumë vëzhgues kanë thënë se Koreja e Veriut nuk po bën mjaftueshëm për të çmontuar lokacionet bërthamore dhe raketore.
Që nga viti 2016, Koreja e Veriut ka kryer tre teste bërthamore dhe ka hedhur 40 raketa balistike, duke nxitur zemërim te ShBA-ja dhe fqinjët e saj, Koreja e Jugut dhe Japonia.