Morata: Kthehem më i rritur si futbollist dhe si njeri
Vetëm një ditë pasi hodhi firmën mbi kontratën që do ta lidhë për herë të dytë me Juventusin, Alvaro Morata dha një intervistë për mediat italiane, ku zbuloi emocionet e këtij rikthimi në Torino, pas eksperiencës në periudhën 2014-2016.
“Është një ndjesi shumë e bukur të kthehesh këtu, pasi kam qenë gjithmonë i lidhur me këtë klub dhe jam shumë i lumtur. Mezi pres që të stërvitem bashkë me shokët e mi”, deklaroi sulmuesi.
Juventusi kishte në listë të tjera prioritete, por në fund vendosi të orientojë interesin nga Morata dhe arriti të mbyllë marrëveshjen brenda pak ditësh, sigurisht kjo edhe me miratimin e vetë sulmuesit spanjoll që mirëpriti një rikthim te kampionët e Italisë.
“Jam gjithmonë gati për Juventusin, pasi është një klub i madh, një skuadër e madhe dhe mbi të gjitha një familje. Mendoj se kur gjen një vend që ndihesh si në shtëpi, ekziston gjithmonë dëshira për t’u rikthyer. Sot ndihem një futbollist më i mirë dhe më i rritur në shumë aspekte”, ka thënë 28-vjeçari spanjoll.
Këtë herë në Torino, Morata do të gjejë trajner Andrea Pirlon, atë që në eksperiencën e parë te Juventusi e ka pasur shok skuadre dhe të dy kanë festuar trofe të fituar në fushën e lojës.
“Atëherë ishte një skuadër e madhe, jo vetëm me Andrean, por me shumë futbollistë kampionë. Nëse Pirlo do të jetë i zoti si trajner vetëm sa 50% e asaj që ishte me topin në këmbë, atëherë do të bëjmë gjëra të mëdha”, ka deklaruar Morata.
Në 2016-ën, spanjolli u përshëndet me tifozët e Juventusit me një gol të shënuar në “Olimpico” ndaj Milanit në Kupën e Italisë, ndërsa të dielën në mbrëmje mund të rikthehet sërish nga i njëjti stadium, ku bardhezinjtë do të përballen me Romën për ndeshjen e javës së dytë të kampionatit.
“Mendoj se nëse gjithçka do të shkojë sipas planit, atëherë do të kem mundësinë të luaj në atë ndeshje. Do të ishte perfekte sikur të shënoja, por aktualisht nuk po mendoj aspak për këtë. Dua të nis sa më shpejt stërvitjen me grupin dhe të luaj në fushë. Impenjimi për të shënuar nuk do të më mungojë asnjëherë”, ka shtuar Morata.