Morata: Në Spanjë nuk më respektojnë, dua të largohem
Alvaro Morata ngre zërin dhe shpreh dëshirën për t’u larguar nga Atletico Madrid. Sulmuesi, edhe pse i fokusuar te Euro 2024, sërish gjen kohë për të lëshuar sinjale në merkato, aty ku ka interes nga Milan, por edhe ish-klubi i tij Juventus. Së fundmi, Morata thekson se në Spanjë nuk e respektojnë dhe gjithnjë gjejnë një mënyrë për ta kritikuar.
“Nuk jam aspak i lumtur, në fakt e kam shumë të vështirë që të jem i lumtur në Spanjë. E di që ka shumë njerëz që presin që unë të ndëshkohem me kartonë pasi besojnë se pa mua në lojë është më mirë. Unë e di që kam një jetë të bukur familjare, por kur vjen puna te skuadra dhe sporti, nuk jam i lumtur. Është pak e vështirë për mua, ndjehem më mirë kur luaj jashtë Spanjës. Në Spanjë nuk më respektojnë”, u shpreh Morata.