Moratti entuziazmon tifozët zikaltër: Mund të rikthehem në krye të Interit
Massimo Moratti ndez edhe më shumë entuziazmin e tifozëve të Interit. Në ditët e nxehtat të kalimit të pronësisë së klubit zikaltër nga grupi kinez Suning te fondi amerikan Oaktree, ish-presidenti pasionant ka deklaruar se po merr në konsideratë rikthimin në krye të Interit.
Në një intervistë për median italiane Moratti pranoi se kostot janë rritur ndjeshëm dhe se është e vështirë që ta mbajë i vetëm skuadrën në nivele të larta, megjithatë la të hapur mundësinë e blerjes së shumicës së aksioneve të klubit.
“Rikthimi tek Interi nuk është i lehtë, por nuk mund ta përjashtoj si mundësi. Gruaja ime më pyet çdo natë nëse e kam blerë klubin dhe unë duhet të gjej justifikime. Jemi shumë të lidhur me klubin dhe sigurisht që nuk përjashtohet blerja e aksioneve. Megjithatë kostot janë rritur shumë dhe është thuajse e pamundur që një person i vetëm të mbajë një klub si Interi në nivele të larta. Një president tifoz është shumë e vështirë t’ia dalë në ditët e sotme. Edhe Reali i Madridit është i mbytur në borxhe”, u shpreh Moratti.
Ish-presidenti legjendar, i cili u dha zikaltërve edhe Ligën e Kampionëve për herë të fundit në 2010-ën komentoi edhe kalimin e pronësisë te grupi amerikan Oaktree.
“Ata janë një fond shumë solid, por borxhet e klubit janë të larta dhe do të synojnë t’i ulin. Është gati e pamundur që të mbash një skuadër konkurruese, pa prishur bilancin ekonomik të klubit, ndaj jam kurioz të shoh qasjen e Oaktree në këtë aspekt”, ka shtuar Moratti.